Që nga mëngjesi i sotëm, ushtria amerikane ka nisur shoqërimin e të gjitha anijeve me naftë që duan të dalin nga Ngushtica e Hormuzit, për t’i ndihmuar të kapërcejnë bllokadën iraniane. Teherani ka paralajmëruar se çdo thyerje e bllokadës nga ushtria amerikane do të prishë armëpushimin.
Ushtria amerikane është angazhuar që nga mëngjesi i kësaj të hëne të shoqërojë çdo anije me naftë nga vendet e Gjirit, që të dalë e sigurt nga Ngushtica e Hormuzit për të kapërcyer bllokadën iraniane, siç e njoftoi edhe vetë presidenti Donald Trump përmes rrjetit të tij social Truth.
Për këtë mision, Shtetet e Bashkuara kanë angazhuar 15 mijë trupa, shkatërrues raketash dhe mbi 100 avionë luftarakë. Irani u përgjigj menjëherë duke kërcënuar se do të sulmojë çdo forcë të huaj të armatosur që hyn në ngushticë pa koordinim, duke e cilësuar ushtrinë amerikane si “agresore”.
Mediat iraniane bënë të ditur se dy raketa goditën gjatë ditës një anije ushtarake amerikane që shkeli bllokadën e Teheranit, por kjo u mohua nga Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane.
Mes këtyre tensioneve, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi nga samiti i Komunitetit Politik Europian në Jerevan se zgjidhja e vetme e qëndrueshme është një rihapje e përbashkët e ngushticës mes SHBA-së dhe Iranit. Ai konfirmoi se Franca nuk do të marrë pjesë në operacione që përdorin forcën në një kuadër të paqartë.
Nisja e operacionit shoqërues ka reflektuar menjëherë pasiguri në tregjet energjetike. Çmimi i naftës së papërpunuar u rrit deri në 5% këtë të hënë, duke u shoqëruar me luhatje të vazhdueshme.
Ndërkaq, përpjekjet diplomatike po vijojnë në prapaskenë me ndërmjetësimin e Pakistanit. Teherani konfirmoi se të dielën ka marrë një përgjigje nga Uashingtoni lidhur me planin e paqes me 14 pika të propozuar më herët. Vetë Trump i cilësoi bisedimet si “shumë pozitive” dhe me potencial për një rezultat të mirë për të gjithë.
Në Pakistan mbërritën 22 marinarë iranianë të liruar, që u kapën nga ushtria amerikane muajin e kaluar gjatë sekuestrimit të një anijeje me naftë në Hormuz.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 