Me një fytyrë të ngrysur, aspak si ajo e 22 shkurtit 2022 kur filloi pushtimin e Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin mblodhi me urgjencë Këshillin e Sigurisë Kombëtare në Moskë pasi ushtria ukrainase filloi një operacion në rajonin kufitar Kursk.

Objektivat ukrainase për këtë operacion mbeten të paqarta dhe deri më tani raportohet për kapjen rob lufte të rreth 40 ushtarëve ruse dhe një pikë shpërndarëse të gazit që vjen në Europë. Analistët ushtarakë thonë se objektiv i ukrainasve mund të jetë kapja e centralit bërthamor që ndodhet në këtë rajon.

Pamjet e turpshme të dorëzimit të ushtarëve rusë brenda vendit të tyre u shpërndanë me shpejtësi në mediat sociale.

Putini akuzoi Ukrainën se ka nisur “një tjetër provokim të madh”.

“Regjimi i Kievit ka ndërmarrë një tjetër provokim në shkallë të gjerë, po kryen granatime pa dallim me lloje të ndryshme armatimi, përfshirë raketa, ndaj ndërtesave civile, banesave dhe spitaleve.”

Moska pretendon se trupat ukrainase, të mbështetura nga 11 tanke dhe mbi 20 automjete të blinduara luftarake, kaluan kufirin pranë qytetit Sudzha, 10 km nga vija e frontit.

Në komentet e para televizive të transmetuara të mërkurën pasdite, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov i tha Presidentit Putin se “përparimi” në rajonin e Kurskut ishte ndalur me forcat ruse që “vazhdonin të shkatërronin kundërshtarin në zonat pranë kufirit ruso-ukrainas”.

Gerasimov-i raportoi gjithashtu se rreth 1,000 trupa ukrainase kishin hyrë në rajon dhe se forcat ruse kanë vrarë tashmë 100 vetë dhe plagosur 215 të tjerë.

Rusia u detyrua të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në rajonin Kursk, ndërsa mijëra banorë u detyruan të lënë shtëpitë.

Në kaosin e krijuar, njoftohet se aviacioni rus bombardoi gabimisht një grup të tyre ushtarësh.

Luftimet thuhet se filluan në fshatra të ndryshëm në territorin rus gjatë të martës. Pasuan sulme ajrore ukrainase.

Kievi nuk i ka komentuar ende ngjarjet në Kursk. Por koloneli ukrainas Vladislav Seleznyov, i tha kanalit të njohur Nexta se sulmi ishte “parandalues” pasi pranë kufirit janë të grumbulluara rreth 75,000 trupa ruse.

Ky nuk është inkursioni i parë në Rusi. Më herët grupe forcash rusë që kundërshtojnë Kremlinin ndërmorën inkursione në rajonet Belgorod dhe Kursk marsin e kaluar.

Klan News