Utah Jazz ka shkaktuar surprizën në NBA, duke mposhtur Los Angeles Lakers me rezultatin 109-97 në transfertë.
Protagonisti kryesor i takimit ishte Keyonte George, i cili realizoi 30 pikë dhe dhuroi 10 asistime, duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje të rëndësishme.
Kontribut të madh dha edhe talenti i ri Ace Bailey, me 19 pikë, ndërsa Svi Mykhailiuk shtoi 15 pikë. Për Utah Jazz, kjo ishte fitorja e tretë sezonale dhe e dyta radhazi, pasi një ditë më parë kishte mposhtur Los Angeles Clippers me rezultatin e thellë 132-107, duke ndërprerë një seri prej 12 humbjesh.
Ndeshja u vendos në periodën e fundit, kur Utah realizoi një seri vendimtare prej 15 pikësh radhazi, duke e çuar rezultatin në 98-83 dhe duke mos i dhënë më mundësi Lakers të riktheheshin në lojë.
Në krahun tjetër, Luka Doncic ishte më i miri për vendasit me 29 pikë, ndërsa Quentin Grimes kontribuoi me 20 pikë.
Megjithatë, paraqitja e tyre nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e parë të Lakers gjatë muajit nëntor. Los Angeles kishte shansin të regjistronte fitoren e dhjetë radhazi, por u ndal nga një Utah që zhvilloi një ndeshje shumë efikase.
Lakers regjistruan vetëm 38.2% saktësi në gjuajtjet nga fusha, përqindja më e ulët e tyre këtë sezon.
Një tjetër mungesë e rëndësishme për skuadrën e Los Angeles ishte Austin Reaves, i cili nuk luajti për të tretën ndeshje radhazi për shkak të një problemi në thembër.
Me këtë fitore, Utah Jazz konfirmon rikthimin pas një periudhe të vështirë, ndërsa Lakers humbasin mundësinë për të vazhduar serinë pozitive dhe për të ruajtur kreun e renditjes në NBA.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
