Izraeli i jep dozën e parë 40% të popullsisë

Vaksinat Pfizer mund të reduktojnë ndjeshëm përhapjen e koronavirusit. Një studim izraelit arrin në përfundimin se të vaksinuarit qoftë edhe me dozën e parë kanë ngarkesë shumë të reduktuar të dozave të COVID-19 në trupin e tyre.

Vaksina e firmave Pfizer/BioNTech që po përdoret për injeksione edhe në Shqipëri dhe në shumicën e shteteve perëndimore mund të reduktojë ndjeshëm përhapjen e koronavirusit nga personi në person.

Një studim i kryer nga ekspertët izraelitë, bazuar në të dhënat e laboratorëve të testimit për COVID-19, ka arritur në përfundimin se që me injektimin e dozës së parë, kjo vaksinë redukton në mënyrë drastike ngarkesën e virusit që mund të marrë një individ.

Kjo nënkupton po ashtu edhe reduktim të ndjeshëm dozave virale që mund të përhapë një person i vaksinuar, tek të pavaksinuarit, duke ulur po ashtu ndjeshëm rrezikun e infektimit me pasoja të rënda. Në këtë mënyrë reduktohet po ashtu edhe numri i personave që mund të infektohen në të njëjtin ambient ku ndodhet përhapësi.

Izraeli ka deri më tani ritmet më të shpejta në botë të vaksinimit. Rreth 40% e popullsisë ka marrë të paktën 1 dozë të vaksinës, ndërsa vetëm 23% e tyre, kryesisht të moshave mbi 60 vjeç kanë marrë të dyja dozat.

Ekspertët thonë se në shumicën e rasteve, vaksina parandalon infektimin nga koronavirusi, por edhe në rast infektimi, pasojat fatale janë thuajse të pamundura. Me këtë mënyrë shpjegohet edhe efektshmëria rreth 95 e vaksinës Pfizer/BioNTech, me efektivitetin më të lartë në botë deri më tani.

Tv Klan