Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

“Vala 900” apo “Mob Tel”. Tashmë kosovarët kanë mundësinë të bëjnë dy zgjedhje në rrjetin celular të telefonit. Prej vitit 1990, serbët kanë futur në Kosovë valën “Mob Tel”, e cila tashmë është jo pak e përhapur në kryeqytetin kosovar. Megjithatë pak muaj më parë, përfaqësuesit e UMNIK-ut në bashkëpunim me Post Telegrafin e Kosovës, vendosën të përfshijnë një rrjet të ri të telefonave celularë, të quajtur “Vala 900”.

Qytetarët që duan një numër të tillë, duhet të përfaqësojnë një kompani private apo media, ose duhet të punojnë në një organizatë të huaj. Ata që nuk i plotësojnë këto kushte mund të marrin një numër në tregun e zi të kartave telefonike. Në Post Telegrafin e Kosovës nuk na japin përgjigje për këtë, megjithatë të gjithë e dimë se këto numra dalin nga sportelet e kësaj poste.

Për planet e ardhshme për këtë rrjet telefonik, drejtori i telefonisë celulare thotë për Tv Klan, se rrjeti i ri mendohet të shtojë ndjeshëm numrin e abonentëve. Sipas tij shumë shpejt 60 mijë abonentë mund të kenë numrat e kësaj vale, që tashmë është e përhapur në të gjitha qendrat kryesore të Kosovës. Gjithsesi shtimi i numrave të kësaj vale shumë shpejt do të mënjanojë valën serbe, duke i sjellë jo pak humbje një prej kompanive më të fuqishme private në Serbi./tvklan.al

Gazetare – Ornela Bego