Shërbimi Spanjoll Detar ka shpëtuar 854 emigrantë që udhëtonin me shtatë varka të vogla peshkimi në ujërat pranë ishullit El Hierro, në arkipelagun e Ishujve Kanarie. Operacioni nisi në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, ndërsa emigrantët u shoqëruan drejt portit La Restinga, ku morën ndihmën e parë mjekësore.
Nga personat e shpëtuar, 350 u transferuan drejt ishullit Tenerife me tragetin e linjës gjatë paradites. Autoritetet spanjolle planifikojnë të zhvendosin edhe 350 të tjerë gjatë udhëtimit të pasdites, me qëllim lehtësimin e fluksit në qendrat e pritjes në El Hierro.
Disa prej emigrantëve kishin nevojë për trajtim spitalor. Nëntë persona ndodhen ende në spitalin Nuestra Señora de los Reyes, pasi mbërritën në El Hierro me varka të ndryshme gjatë ditëve të fundit, me probleme të ndryshme shëndetësore.
Operacioni i shpëtimit u krye nga tre mjete detare, Salvamar Navia, Diphda dhe Mizar. Varka e parë u pikas rreth katër milje larg portit të La Restinga-s dhe mbërriti në mol rreth orës 01:00, me 134 persona në bord.
Gjatë mëngjesit mbërritën edhe gjashtë varkat e tjera. E dyta kishte 174 persona, e treta 166, ndërsa varka më e madhe transportonte 235 emigrantë. Në dy varkat e tjera ndodheshin përkatësisht 54 dhe 39 persona, ndërsa e fundit mbërriti në port në orën 12:30, me 52 persona në bord.
Sipas shërbimeve shëndetësore dhe të emergjencës, emigrantët vinin nga Afrika Sub-Sahariane. Shumica ishin burra, por mes tyre kishte edhe gra dhe të mitur. Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende vendet e nisjes dhe shtetësinë e personave të shpëtuar.
Në operacion u angazhuan gjithashtu Kryqi i Kuq, Shërbimi i Emergjencave të Ishujve Kanarie, Roja Bregdetare, si dhe Policia Civile dhe ajo Kombëtare.
Pas ndihmës së parë mjekësore dhe humanitare, emigrantët u dërguan në Qendrën e Përkohshme të Pritjes për të Huajt në San Andrés, në komunën Valverde. Aty do të marrin mbështetje nga organizata joqeveritare Corazón Naranja-Ebrima Sonko dhe do të qëndrojnë nën kujdesin e policisë deri në transferimin e tyre në qendra të tjera pritjeje jashtë ishullit El Hierro.
Ndërkohë, mbërritje emigrantësh janë raportuar edhe në ishuj të tjerë të arkipelagut. Të enjten rreth orës 22:00, Shërbimi Spanjoll i Shpëtimit Detar nxori në breg një numër ende të papërcaktuar personash në zonën e Arguineguín, në jug të Gran Canaria-s.
Edhe në ishullin Lanzarote mbërritën dy grupe emigrantësh, mes mbrëmjes së së enjtes dhe mëngjesit të së premtes. Grupi i parë përbëhej nga 27 burra me origjinë nga Afrika e Veriut, të cilët udhëtonin me një varkë të vogël, ndërsa në grupin e dytë ndodheshin 61 persona.
/tvklan.al












Botërori 2026 
