Udhëtarët që sapo zbresin në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, përballen me një surprizë të pazakontë, një valixhe gjigande dhe e verdhë që shërben si reklamë për qytetin e Shkodrës.

Ky instalacion që u ka tërhequr vëmendjen kalimtarëve, i ka bërë përshtypje dhe kryeministrit Edi Rama i cili ka zgjedhur ta ndajë me ndjekësit e tij në rrjete sociale.

Ai e përshkruan instalacionin si një pikë takimi për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shkodrën.

“Mikpritja e veçantë e Shkodrës në aeroportin “Nënë Tereza”. Një pikë takimi për të gjithë vizitorët që zgjedhin Shkodrën për të shijuar bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore.”, shkruan Rama krahas një videoje, ku shfaqet valixhja gjigande.

Pikërisht në sezonin veror kur turizmi në vend është në rritje, autoritetet lokale e qendrore po punojnë për të promovuar destinacionet turistike jo vetëm përmes rrjeteve sociale, por edhe me prezencë fizike në hapësira publike strategjike si aeroportet.

Me këtë qasje, Shkodra bëhet ndër qytetet e para në vend që prezantohet në këtë formë kreative, duke sjellë një shembull pozitiv të marketingut turistik./tvklan.al