Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, mund të ketë humbur mbështetjen e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Media prestigjioze Axios ka raportuar një përplasje të ashpër Vance-Netanyahu në një telefonatë, ku nënpresidenti vuri në pikëpyetje parashikimet e liderit izraelit për luftën me Iranin.
Sipas artikullit, Vance theksoi se vlerësimet e Izraelit kishin qenë tepër optimiste, veçanërisht lidhur me mundësinë e një kryengritjeje popullore në Iran që do të rrëzonte regjimin. Sipas Axios, Netanyahu ia kishte paraqitur presidentit Trump konfliktin si më të lehtë dhe më të shpejtë nga sa po rezulton në realitet, dhe Vance e adresoi këtë drejtpërdrejt.
Pas telefonatës, në media u shfaqën raportime se Vance i kishte bërtitur Netanyahut edhe për çështje të tjera, si dhuna në Bregun Perëndimor. Megjithatë, këto raportime u mohuan nga burime amerikane dhe izraelite, ndërsa këshilltarët e Vance dyshuan se mund të ishin përpjekje për ta diskredituar nënpresidentin.
Disa zyrtarë amerikanë madje sugjeruan, pa prova konkrete, se elementë brenda Izraelit mund të jenë duke zhvilluar një fushatë kundër tij, duke e parë si jo mjaftueshëm agresiv për t’u përballur diplomatikisht në negociatat e mundshme me Iranin.
Por duket se këto tensione reflektojnë dallime më të thella strategjike. Vance, i njohur për skepticizmin ndaj konflikteve të gjata, duket më i kujdesshëm për rrjedhën e luftës dhe objektivat afatgjata, ndërsa Netanyahu ka ndjekur një linjë më optimiste dhe më të ashpër.
Pavarësisht kësaj, Vance mbetet i përfshirë intensivisht në diplomaci dhe mund të udhëheqë negociatat me Iranin, duke balancuar mbështetjen për Izraelin me interesat më të gjera amerikane.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 