Edhe Italia, ashtu si në disa vende të jugut të Europës, pritet të mbërthehet kthetrat e valës së parë të të nxehtit përvëlues të kësaj vere. Agjencia e lajmeve ANSA shkruan se temperatura pritet të jetë 12 gradë mbi normalen, një nivel tepër i lartë që nuk besohet se është arritur më parë dhe që mund ta bëjë verën e këtij viti, më të nxehtën në histori dhe të marrë edhe rekordin e vitit të kaluar.

Problematike me temperaturat, ashtu si verën e kaluar pritet të jetë Sardenja, ku termometri mund të shënojë mbi 40 gradë Celsius. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve që të mërkurën dhe të enjten të shmangin sa të munden, daljet në oraret e kulmit të vapës dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.

Vala e të nxehtit ka nisur më herët në Greqi, Qipro e Turqi. 5 viktima, kryesisht turistë, janë shënuar në Greqi, ndërsa Turqia po përballet me zjarre masive. I nxehti i pazakontë ka shkaktuar zjarre edhe në Nju Mexico e Teksas të Shteteve të Bashkuara. Vala e temperaturave të larta parashikohet të prekë nga e mërkura edhe veriun e vendit si dhe Kanadanë, që nuk shquhen për vapë përvëluese gjatë verës.

Tv Klan