Në këto ditë të nxehta e me temperatura të larta përvëluese që shkojnë mbi 42 gradë Celcius, ekspertët rekomandojnë kujdes të shtuar pasi vapa e madhe ka ndikim negativ në shëndet.

Të gjitha grupmoshat, por veçanërisht foshnjat, fëmijët, të sëmuret kronikë apo të moshuarit duhet të shmangin me patjeter ekspozimin në diell gjatë mesditës.

Qëndrimi për një kohë të gjatë nën rrezet përvëluese të diellit, sipas mjekëve mund të shkaktojë goditje nga i nxehti, çka përbën kërcënim serioz për shëndetin.

Ndër të tjera ekspertët rekomandojnë përdorim të veshjeve sa më të lehta dhe me ngjyra të hapura si në shtëpi ashtu edhe jashtë saj.

Uji nuk duhet të mungojë për asnjë moment, madje edhe gjatë daljeve nga shtëpia duhet të mbahet një shishe uji i freskët me vete.

Sepse nëse nuk pini mjaftueshëm ujë ndodh të keni lodhje, dehidrim, mungesë të energjisë, madje mund të keni edhe rrahje të shpejta të zemrës për shkak të humbjes së lëngjeve.

Ndër të tjera, për të përballuar këtë valë të të nxehtit afrikan duhet konsum i ushqimeve sa më të shëndetshme dhe të freskëta.

Një këshillë tepër e rëndësishme në këto ditë të nxehta është edhe rregullimi i temperaturës së ambienteve ku qëndroni në një diferencë prej 6 gradë C me ambientin e jashtëm.

Të gjithë personat me sëmundje kronike apo problemet kardiake duhet të ruajnë regjimin e medikamenteve sipas udhëzimeve të mjekëve.

Klan News