Dy gola nga Cristiano Ronaldo dhe një vendim dramatik në limite i VAR i dhanë Juventusit fitoren 2-1 ndaj Sampdorias. Ronaldo shënoi nga një gol në secilën pjesë duke siguruar fitoren e 17 në 19 ndeshje duke e përfunduar gjysmën e sezonit pa asnjë humbje. Përkohësisht Sampdoria barazoi me penalltinë e Fabio Quagliarella.

Në pjesën e dytë VAR i akordoi një 11-metërsh Juventusit për prekje të topit me dorë nga Praet. Në fakt topi i goditi krahun e tij, por futbollisti po e mbante të ngjitur me trupin. Sampdoria nuk u dorëzua dhe kërkoi me ngulm pikën e kësaj ndeshjeje që u duk se e arriti në minutat shtesë. Saponara shënoi një supergol, por sërish VAR u bë protagonist duke interpretuar këtë moment si aksion ku Saponara gjendet në pozicion jashtë loje aktiv. Goli iu anulua në mënyrë të çuditshme.

Bardhezinjtë më 19 ndeshje pa asnjë humbje kanë 53 pikë në renditje. Ronaldo po kthehet në lojtarin ndoshta më të rëndësishëm, pasi po e shpëton skuadrën thuajse në çdo rast. Skuadra torineze e mbyll vitin kalendarik me 100 gola të shënuar.

Edhe Interi regjistroi 3 pikët e radhës pas një fitoreje minimale me Empolin. Keita Balde në minutën e 72 realizoi golin e vetëm të takimit. Lazio barazoi 1-1 me Torinon, ndërsa Roma fitoi 2-0 në transfertën e Parmës. Cristante dhe Under shënuesit e golave. Atalanta me Etrit Berishën në portë shkatërroi 2-6 jashtë fushës së saj Sassuolo.

Tv Klan