“Duhet të bindim shtetet anëtare për vendimin”

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Verhelyi, ka qëndruar në Kosovë. Pas takimit që zhvilloi me kryeministrin Avdullah Hoti, ai tha se janë duke bërë përpjekje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por për këtë duhet bindur shtet anëtare të BE-së.

“Po përpiqemi t’i bindim shtetet anëtare që t’i ofrohet liberalizimi qytetarëve të Kosovës, sepse vlerësimi ynë mbetet se i keni përmbushur të gjitha kushtet, por nuk mjafton vetëm vlerësimi ynë, duhet t’i bindim shtetet anëtare. Kjo mund të arrihet vetëm me punë dhe kryeministri po e bënë, që të mos ketë keqpërdorim dhe të mos ketë azil”.

Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se në katër muajt e qeverisjes është hequr fjala korrupsion nga diskursi publik. Duke folur për dialogun me Serbinë, kryeministri e cilësoi të rëndësishme ekzistimin e konsensusit shoqëror, por tha se nëse s’ka marrëveshje përfundimtare atëherë do të mbeten si dy shtete të pavarura fqinje.

“Ne jemi të përkushtuar për dialog 1 muaj 2 muaj 2 vjet. Nëse nuk arrijmë marrëveshje përfundimtare nuk kemi çfarë të bëjmë, vazhdojmë si dy shtete të pavarura fqinje që nuk e njohin njëra-tjetrën”.

Komisioneri i BE-së ka takuar edhe kryetaren e parlamentit, Vjosa Osmani, dhe më pas ka mbajtur një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ai nuk ka zhvilluar takim me Presidentin Hashim Thaçi për të cilin u tha se nuk gjendet në Kosovë. 

Tv Klan