Arkivoli me emigrantin e vrarë Gramoz Palushi mbërriti në orët e vona të së hënës në banesën e tij në Babrru të Tiranës. Kuja është dëgjuar në të gjithë fshatin deri në orën 11:00 kur trupi i pajetë i shoqëruar nga një kortezh madhështor u përcoll për në banesën e fundit. Ngjante me një protestë të heshtur. Qenë të afërmit e Gramozit 20-vjeçar që jetonin me të në Greqi, të cilët kanë treguar se çfarë kanë parë vetëm disa minuta pasi kishin dalë të festonin fitoren e kombëtares.

“Ngjarja ka ndodhur gjatë kohës që ne po festonim fitoren e Shqipërisë. Kishim në duar flamujt e Shqipërisë dhe kishim veshur bluza shqiptare. Çunat ishin me motorra dhe po iknin për poshtë, kur u kthyen për lart u dolën dy grekë në rrugë. Pastaj ka vrapuar njëri nga magazina me thikë dhe i ka gjuajtur të parit Gramozit, ishte i pari në motorr. Kur e ka parë vëllai im që i ka gjuajtur Gramozit ka vrapuar të futet në mes. Ai fliste anglisht edhe vëllai im i ka folur anglisht dhe i ka thënë çfarë bëre kështu. Ai e ka sharë vëllain tim dhe i ka rënë me thikë dhe Gramozi i ka thënë vëllait tim ta çonte në spital se e mbuloi gjaku, ai i është përgjigjur se edhe atë e kishte mbuluar gjaku. Pastaj kanë vrapuar edhe të tjerët. Kushdo që vrapoi u godit me thikë. Gramozi i ka dalë një çuni përpara me makinë dhe i ka kërkuar ta çonte në spital. Ai djali e ka marrë Gramozin ta çonte në spital. Rrugës për atje nuk ka folur më. Janë vonuar 10 min para spitalit dhe kanë nisur të godisnin portat me shkelma, pastaj janë hapur dyert dhe janë futur brenda me vones. Pasi e futën brenda erdhi doktori, pas disa minutash filluan të na ngushëllonin duke na rënë lehtazi pas shpine dhe duke na thënë të rroni vetë dhe e kuptuam që kishte vdekur.”

“Për herëtë fundit e pashë sapo ka përfunduar ndeshja me motorrr duke ecur. Ka qenë me kushërinjtë dhe me shokët e vet dhe kanë bërë një xhiro poshtë e lart. Duke u ngjitur për lart në mbarim të fshatit ka ndodhur ngjarja duke ikur për në shtëpi.”

Gazetarja: “Pas këtij akti çfarë keni vendosur, do të ktheheni më në Greqi?”

“Unë për vete do të shkoj në Greqi, pikë së pari do të shkoj të sqaroj punën me anë të ligjeve.”

Mes atyre dhjetëra njerëzve një pjesë e mirë janë qytetarë të thjeshtë të cilët janë ndier të fyer dhe të trishtuar kur kanë mësuar për vrasjen e bashkëkombasit të tyre tek gëzonte fitoren. Përmes tyre është edhe një baba që vetëm pak muaj më parë u shfaq me lot në sy nëpër media tek tregonte se si policia greke i kishte vrarë të birin në kufi. E kush tjetër më mirë se ai mund ta kuptonte se ç’ndien një prind në një rast të tillë.

“I bëjmë thirrje shtetit shqiptar, Presidentit, Avokatit të Popullit, gjithë personaliteteve të shtetit dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare që të ndalet dhuna ndaj djemve tanë, sepse po të marrim një krahasim, djemtë tanë po vriten atje dhe asnjë grek nuk është futur në burg gjatë këtyre 14 viteve.”

Shtrëngime duarsh dhe disa fjalë kanë shkëmbyer me familjen Palushi edhe kryetari i Bashkisë Edi Rama, ministri i Shtetit Marko Bello, kryetari i Partisë Demokrate të Reformuar Genc Pollo dhe politikanë të tjerë.

Marko Bello: “ Janë bërë të gjitha veprimet, protestat, është thirrur ambasadori grek, janë mbajtur kontakte të ngushta me Ministrinë e Brendshme të Greqisë nga ana e zotit Toskaj, i është kërkuar homologut të vet që të meren të gjitha masat që veprime të tilla të turpshme të mos përsëriten më me shtetas shqiptarë të cilët kanë kontribuar në zhvillimin e Greqisë, me gjakun e tyre kanë paguar dhe ishte dhe rasti i fundit i Lojërave Olimpike ku kryeministri grek i pranoi përpara kryeministrit shqiptar dhe i tha atij falënderimet për 30 000 shqiptarë që kontribuuan që Lojërat Olimpike të Greqisë të dilnin me sukses.”

Genc Pollo: “Dhe këtu nuk jemi thjesht për të varrosur Gramoz Palushin, bile ndajmë edhe dhembjen me familjen e tij, por me dëshirën që të gjithë së bashku të bëjmë çmos që një herë e mirë në gropë të futen urrejtja, racizmi, intoleranca dhe mungesa e drejtësisë.”

Sot u mbyll edhe një arkivol me trupin e një tjetër të pafajshmi të vrarë nga një grek. Asnjë përfaqësues i ambasadës së këtij vendi nuk ka marrë pjesë qoftë edhe me një mesazh ngushëllimi në dhembjen e tyre. Ndoshta kjo është mënyra për të treguar se sa peshë ka në ndërgjegjen e tyre qytetare humbja e jetës së një shqiptari nga fajtori që mban emrin ‘shtetas grek’. /tvklan.al