Parlamenti i Spanjës rrëzoi një dekret të qeverisë që propozonte masa për të trajtuar krizën e banesave, e cila ka nxitur protesta që u intensifikuan javën e kaluar pas dëbimit nga banesa të një gruaje 87-vjeçare në Madrid.
Dekreti u rrëzua me 178 vota në dhomën e ulët të parlamentit, e cila ka gjithsej 350 vende. Në të parashikoheshin masa të tilla si ndalimi i dëbimit të qiramarrësve në gjendje të cenueshme deri në vitin 2030 dhe zgjatja me dy vjet e ngrirjes së qirave për kontratat ekzistuese.
Partia separatiste katalanase e qendrës së djathtë “Junts”, e cila ka shtatë deputetë, deklaroi se këto masa, në fund të fundit, do ta shtrëngonin edhe më tej tregun e banesave, duke reduktuar ofertën e tyre.
Qytetarët protestuan para parlamentit gjatë kohës që zhvillohej debati mbi dy dekretet nga deputetët.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u bëri thirrje ligjvënësve që t’i linin mënjanë llogaritë dhe presionet politike dhe të votonin pro dy dekreteve për banesat. Kreu i qeverisë u kërkoi ligjvënësve të “bënin gjënë e duhur” dhe paralajmëroi se historia do t’i gjykonte ata “shumë më ashpër sesa mund ta imagjinonin” nëse votonin kundër, megjithatë kjo nuk bindi shumë deputetë.
Protestat vazhduan pas rrëzimit të dekretit, ndërsa qytetarët shprehën zemërimin ndaj ligjvënësve.
“Fakti që nuk kanë arritur të miratojnë qoftë edhe këto masa të pjesshme na tregon se e vetmja gjë që ky sistem mund t’i ofrojë klasës punëtore është një jetë poshtërimi dhe shfrytëzimi. Pra, ajo që ne po themi është se duhet të vazhdojmë të luftojmë”, pohoi një protestues.
Gjatë kësaj jave, dhjetëra protestues qëndruan në tendat e ngritura në sheshin qendror në Barcelonë, në mbështetje të aktivistëve në Madrid. Protestuesit vunë në dukje mospërputhjen aktuale midis çmimeve të qirave dhe pagave, ndërsa propozimet e qeverisë i cilësuan lëvizje për të qetësuar situatën.
/tvklan.al












Botërori 2026 