Në Teheran, mijëra iranianë dolën në rrugë të martën, 4 nëntor, për të përkujtuar marrjen e ambasadës amerikane në vitin 1979, një ngjarje që mbetet simbol i armiqësisë ndaj SHBA-ve dhe Izraelit.

Këtë vit, ceremonia mori një ton veçanërisht luftarak, vetëm pesë muaj pas përplasjeve ushtarake mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara, raporton L’Orient Le Jour.

Në rrugët e kryeqytetit, turmat brohorisnin “Vdekje Amerikës, vdekje Izraelit!”, ndërsa digjnin flamuj dhe mbanin pankarta me slogane kundër Uashingtonit dhe Tel Avivit. Ndër protestuesit kishte edhe nxënës e studentë, të cilët dëgjonin këngë revolucionare dhe shikonin imitimin e raketave iraniane që mbartnin mbishkrimin “Ne e adhurojmë të luftojmë regjimin izraelit”.

Sipas L’Orient Le Jour, në mesin e turmës u panë edhe kukulla të varura që përfaqësonin Donald Trump-in dhe Benjamin Netanyahu, një simbolikë e ashpër që evokon skenat e ekzekutimeve publike në Iran. Disa pjesëmarrës ishin veshur si ushtarë izraelitë, duke mbajtur arkivole të mbuluara me flamuj të Izraelit, një aludim për humbjet izraelite në Gazë dhe përplasjet me Iranin gjatë verës.

Protestuesit thanë se ndienin një detyrim moral për të marrë pjesë.

“Vendi ynë u sulmua barbarisht, të rinj të moshës sonë humbën jetën. Është detyrë e jona të jemi këtu”, tha për mediat vendase 17-vjeçarja Sareh Habibi.

Në muajin qershor, Izraeli ndërmori një ofensivë të paprecedentë ndaj Iranit, duke vrarë dhjetëra gjeneralë dhe shkencëtarë bërthamorë. Pas kësaj, një luftë 12-ditore shpërtheu mes dy vendeve, ndërsa SHBA-të bombarduan tri objekte bërthamore iraniane, pavarësisht se më herët kishte shprehur gatishmëri për dialog me Teheranin.

Në rrugët e Teheranit, përveç raketave, ishin vendosur edhe modele centrifugash bërthamore, si kujtesë se Irani nuk heq dorë nga e drejta për zhvillimin e energjisë bërthamore, që sipas tij është për qëllime civile. Ngjarje të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera, përfshirë Mashhadin, Isfahanin, Kermanin dhe Rashtin.

Në mesin e flamujve dhe pankartave, u shfaqën edhe portrete të liderit suprem Ali Khamenei dhe të figurave të “boshtit të rezistencës”, përfshirë ish-udhëheqësin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i vrarë në një sulm izraelit në Liban vitin e kaluar.

Përkujtimi i 4 nëntorit ka rrënjë në vitin 1979, kur studentët iranianë morën peng dhjetëra diplomatë amerikanë në ambasadën e SHBA-të në Teheran për 444 ditë, një ngjarje që vulosi përfundimisht ndërprerjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në prag të përvjetorit, Khamenei deklaroi se Irani nuk do të bashkëpunojë me SHBA-të “derisa Uashingtoni të ndryshojë qëndrimin ndaj rajonit dhe ndaj mbështetjes për Izraelin”.

/tvklan.al