Kosova është vetëm një hap larg ëndrrës së madhe të Botërorit. “Dardanët” janë gati për finalen e madhe të Play Off-it kundër Turqisë, që do të luhet më 31 mars në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Festa e madhe e triumfit në Bratislavë ia ka lënë vendin seriozitetit të përgatitjeve për ndeshjen e radhës, ashtu siç tha edhe vetë trajneri Franko Foda në fjalimin përpara skuadrës.
“Tani na ka mbetur vetëm një hap. Le të festojmë sot. Por nga nesër duhet të fokusohemi maksimalisht te Turqia”.
Vështirësitë e sfidës së radhës i ka pranuar edhe kapiteni Vedat Muriqi, në një intervistë për HT Spor.
“Jam shumë i emocionuar për ndeshjen kundër Turqisë. Kam kaluar 8 vite në atë kampionat dhe me shumë skuadra. Po përjetoj emocione komplekse. Kam luajtur me disa prej lojtarëve. E di që do të jetë një ndeshje e vështirë. Por ne nuk dorëzohemi dhe sigurisht që do të luajmë për të fituar. Nuk dorëzohemi lehtë”.
Kosova është duke vijuar përgatitjet në Prishtinë dhe lajmi i mirë ka ardhur nga rregullorja e UEFA-s për fazën “Play Off”, ku kartonët e verdhë janë zeruar dhe Lumbardh Dellova do të jetë i gatshëm për këtë ndeshje.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
