Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës kanë ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e Shkallës së Parë e cila rrëzoi padinë për pavlefshmërinë e emërimit të prokurorit Ols Dado në 2008-ën.

Gjykata nuk e shqyrtoi çështjen në themel duke mos i pranuar si palë interesi kryebashkiakun e Tiranës dhe Bashkinë dhe që mund të vinin në lëvizje gjykatën.

“Thelbi i çështjes është i thjeshtë: a mund të ushtrojë pushtetin penal të shtetit një person që pretendohet se është emëruar në kundërshtim me kriteret urdhëruese të ligjit? Pikërisht kësaj pyetjeje Gjykata nuk i dha përgjigje. Ajo e mbylli çështjen për mungesë legjitimimi, pa shqyrtuar në themel faktin se, në momentin e emërimit në vitin 2008, Ols Dado nuk kishte përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe, sipas padisë, nuk plotësonte asnjë nga kriteret ligjore përjashtimore që do të lejonin emërimin e tij si prokuror”, tha Veliaj.

Në njoftimin e tij Veliaj thotë se paligjshmëria mund të konstatohej kryesisht edhe nga vetë gjykata, por ajo zgjodhi të mos e verifikojë fare këtë pretendim.

“Kjo çështje shkon përtej interesit individual të Erion Veliajt. Ajo shtron një pyetje themelore për shtetin e së drejtës: a janë të gjithë të barabartë përpara ligjit, apo prokurorët dhe gjyqtarët përjashtohen nga kontrolli gjyqësor i ligjshmërisë së titullit mbi të cilin ushtrojnë pushtetin e tyre?”, tha Veliaj.

Veliaj shprehet se ai është zgjedhur demokratikisht nga rreth 160 mijë qytetarë të Tiranës dhe i është nënshtruar pushtetit penal duke qëndruar në paraburgim prej 18 muajsh pa vendim gjykate fajësie dhe po gjykohet për dyshimet e ngritura ndaj tij.

Atëherë, pse sipas tij prokurori që ka ushtruar këtë pushtet penal duhet të mbetet jashtë kontrollit të një gjykate dhe të verifikohet nëse është emëruar sipas ligjit.

/tvklan.al