Erion Veliaj, drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës shpreh bindjen se kjo forcë do të fitojë bindshëm në Kavajë në zgjedhjet e ardhshme. Në një takim me strukturat e partisë së këtij qyteti, ai nuk i kurseu shigjetimet për opozitën.

“Saliu që bënte zap Shqipërinë dhe dhunonte çdo socialist, sot nuk bën dot zap as dritaren e tij. është katandisur ‘kokoshi një thelë’. Sot, ata që digjnin gjithë Shqipërinë, djegin njëri-tjetrin me goma dhe molotovë. Më shumë digjen vetë, se sa i bëjnë ndonjë dëm Shqipërisë. Por, sfidën tonë më të madhe ne e kemi vitin tjetër, për ta kthyer Kavajën bindshëm në familjen socialiste. Kjo do të vijë vetëm nëse ky grup që nderojmë sot, me grupin që janë në sallë, do arrijnë të bashkëpunojnë si një familje. Ky është momenti për betejë, për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit, për t’u fokusuar te beteja, te fitorja jonë e 2025”, tha Veliaj.

Veliaj pati edhe një thirrje për të rinjtë e Partisë Socialiste.

“Keni ardhur në këtë familje në ditë shumë të mira, keni ardhur në një kohë kur jemi fitues, keni ardhur në një kohë kur nuk diskutohet fitorja jonë në të gjithë Shqipërinë. Madje, sipas cikleve zgjedhore, edhe në Kavajë, në gjysmën e betejave kemi dalë fitues, në një vend që as nuk diskutohej fare që të fitonte e majta dhe PS. Për ju që keni ardhur të rinj, ju lutem jepni kontributin tuaj, mos ardhshin kurrë ato ditë të vështira, por më e rëndësishmja kujtoni kush e mbajti këtë parti kur socialistët përndiqeshin dhe rriheshin publikisht në sheshet e Kavajës dhe gjithë Shqipërisë”.

Veliaj u shpreh se Kavaja dhe e gjithë Shqipëria kanë pësuar një rritje të fluksit të turistëve dhe të ekonomisë, falë përkushtimit te qeverise.

Tv Klan