Është hapur gara për ndërtimin e shkollës “Sami Frashëri”

Pas shkollave 9-vjeçare edhe gjimnazet janë gati për të pritur nxënësit në protokollet e shëndetësisë. Gjatë një takimi me drejtorët e shkollave të mesme, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi i shkollës “Sami Frashëri”.

“Sapo kemi hapur garën për ndërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri”. Ju e dini, tashmë u bëmë 5 vjet bashkë, unë, përveçse jam kryetar i Bashkisë, kam edhe një funksion politik dhe prej atij funksioni marr edhe një pjesë të baltës që dihet publikisht se bëhet vetëm për politikë. Thanë: ‘te këndi i lodrave do të bëhen kulla, gradaçela’, – ja, u bë një kënd lodrash dhe pavarësisht se pamë presidentë dhe deputetë që humbën fytyrën dhe imazhin aty, kënd lodrash doli në fund. Kështu thonë edhe për “Sami Frashërin”, se aty do të bëjmë kulla, – Jo, aty do bëjmë “Sami Frashërin” dhe arsyeja pse kushton dy herë më shumë është sepse do të jetë dy herë më e madh”.

Veliaj u ndal edhe tek një kamera e fshehtë e realizuar tek zyra e tij në Bashki, për të cilën tha se ajo inicuar politikisht.

“Kisha dje dy raste: një grup të rinjsh që më thoshte pse s’jepni birra falas, si ata në Jalë dhe një grup tjetër që po xhironte një kamera të fshehtë në zyrën time, më thoshte pse Karta e Studentit nuk jep kafe falas. A është reduktuar ambicia e të rinjve tanë në një birrë dhe në një kafe falas?”

Sipas Veliajt, të rinjve do u ofrohen mundësi alternative jashtëshkollore, si kurset e teknologjisë së informacionit, të cilat fillimisht do të ofrohen te stadiumi “Air Albania”, por më pas do të zhvendosen te Piramida, ku kanë nisur punimet për rikonstruksionin.

Tv Klan