Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, la për disa orë qelinë e burgut të Durrësit për të kërkuar në Gjykatën Administrative shpalljen të pavlefshëm dekretin e presidentit që ka emëruar prokurorin Ols Dado. Para gjyqtarit Hazbi Balliu, Veliaj shpjegoi arsyet e kësaj padie.
“Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi është fakti se për herë të parë pashë që afati 2-javor për regjistrimin e një kallëzimi u bë pas 7 muajsh. Çfarë më shtyu tjetër? Pas 7 muajsh, regjistrimi i emrit tim u bë pas 1 viti nga procedimi. Po ashtu, më është bërë veting për gjithë jetën, që fëmijë. Arsyeja finale që më shtyu është se ai prokuror mua më ka kërkuar leje për ndërtim dhe i kam thënë kaq të lejohet. Ky është konflikt i pastër interesi. Të gjitha këto më shtynë. Vënia e njerëzve në detyra që nuk plotësojnë kriteret sjell pasoja. Në Bashki nuk firmos më njeri për shkak të frikës së krijuar nga ky hetim nga një njeri që nuk plotëson kushtet”.
Për mediat, avokati i kryebashkiakut Plarent Ndreca tha se Dado nuk plotësonte kriteret për t’u emëruar prokuror.
“Nga ana tjetër, avokati i prokurorit Ols Dado pretendoi se Veliaj nuk mund të legjitimohej në këtë proces pasi nuk kishte interes të ligjshëm. Ai shtoi se procedimi penal ndaj tij hetohet edhe nga një tjetër prokuror”.
Ndërkohë, përfaqësuesja e Presidencës i tha gjyqtarit se ata si institucion nuk mund të mbajnë një qëndrim mbi vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e dekretit, sa kohë në arkivën e institucionit nuk ka relacion shoqërues mbi procedurën e ndjekur deri në propozimin e Dados si prokuror. Seanca e radhës do të mbahet më 8 maj.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 