Kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj i është drejtuar me një letër publike nga paraburgimi i Fierit, drejtueses politike të këtij qarku Belinda Ballukut.

Në mesazhin e tij me nota ironie, Veliaj, tregon gjendjen e tij shëndetësore dhe kërkesat për trajtim të cilat thotë se janë neglizhuar nga kryeministri dhe institucionet në varësi.

“Znj. Balluku – Dr. e Qarkut Fier, Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është “sekret”. Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër”, shkruan Veliaj në letër.

Duke iu referuar perceptimeve të krijuara brenda burgut, Veliaj, thotë se e sheh Ballukun si personin e vetëm që mund ti mundesojë operacionin në Tiranë, ndaj i ka shkruajtur pikërisht në ditën e pranisë besnike.

“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike. Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime. Socialisti “me duar të lidhura”, shkruan Veliaj.

Veliaj pretendon se pas transferimit të tij në paraburgimin e Fierit qëndron kryeministri Rama, për të cilin javën e shkuar, i kërkoi anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të nisin një mocion mosbesimi.

/tvklan.al