Ka kaluar 1 javë dhe është seanca e tretë plenare që pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, por mbetet kryefjala e debatit parlamentar.
Demokratët edhe në këtë seancë e kanë cilësuar çështjen Veliaj si rastin më të qartë të ekspozimit të korrupsionit që po mbyt kupolën rozë, ndërsa socialistët i janë vendosur në mbrojtje pasi sipas tyre po linçohet dhe përbaltet pa prova.
Ndërsa kryedemokrati e kishte fokusin e tij sërish te fjalimi i zv/presidentit amerikan mbajtur në konferencën e Mynihut. Berisha kërkon nga kryeministri miratimin e një rezolute që dënon përpjekjet e tij kundër kundërshtarëve dhe pushteteve të tjera.
“Të dënohen këto akte armiqësore ndaj shqiptarëve dhe demokracisë”, tha Berisha.
Me të replikoi Niko Peleshi që i kërkoi të arsyetojë për peshën e Shqipërisë në politikën e madhe amerikane.
“Nuk mund të ndërtojmë ne Shqipërinë duke u varur pas ndonjë togfjalëshi të liderëve amerikanë dhe t’i ngjisim ato në kontekstin tonë”, tha ai.
Berisha vijoi me akuza ndaj bashkëshortes se Bledi Çuçit dhe asaj të kryeministrit për shpërdorim të fondeve të USAID-it. Ai e shpërfilli përfundimin e kohës së lejuar nga rregullorja dhe injoroi thirrjet e kryeparlamentares për të liruar foltoren.
Ndërkohë që seanca u ndërpre Berisha komunikoi me ndjekësit e tij virtualë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 
