“Partia Socialiste, forca e fjalës së mbajtur”

Nga Vora ku vijoi fushatën elektorale, Erion Veliaj, në cilësinë e drejtuesit politik të Partisë Socialiste, nënvizoi se Shqipërisë i duhen njerëz që kontribuojnë për të dhe jo ata që e dëmtojnë vendin në çdo hap që hedhin. Për këtë ai solli në vëmendje pikërisht takimet elektorale që zhvillon opozita, të cilat sipas tij janë kthyer në vatra rreziku për përhapjen e koronavirusit.

“Mjafton të shikoni mitingjet e Lul Bashës, mitingje ku vetëm përhapet Covid-i. Duhet të kishte filluar vaksinimi për ata 65 vjeç e sipër dhe u vonua kjo javë sepse u vonua dërgesa nga protesta në Rinas. Sa herë që PD ka pasur shansin të zgjedhë mes nesh dhe virusit, mes nesh dhe tërmetit, mes nesh dhe sabotimit, këta kanë zgjedhur gjithmonë armiqtë e Shqipërisë”.

Ndërsa në Rrogozhinë, në një tjetër takim që zhvilloi me banorët e zonës, Veliaj tha se PS është forca e fjalës së mbajtur.

“Partia Socialiste mbajti premtimin për naftën pa akcizë, për naftën pa tatime, për naftën pa TVSH për të gjithë ata që punojnë në bujqësi sepse nuk mbushte traktori me të njëjtin çmim si makina”.

Ai theksoi sevendi ka nevojë t’i rikthehet normalitetit, pas vështirësive që kaloi si me tërmetin ashtu edhe me pandeminë dhe sipas tij këtë mund ta bëjë vetëm Partia Socialiste.

Tv Klan