Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti 6 nga sportistët e skuadrës Olimpike të Shqipërisë, të cilët janë pjesë e Sport Klub Tirana pak ditë para nisjes së Olimpiadës Paris 2024.

Veliaj u shpreh se investimet në disiplinat sportive po sjellin edhe rezultatet e mira.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Gjashtë sportistëve të Tiranës u uroj vetëm sukses dhe sigurisht, edhe medalje. Jam shumë shpresëplotë për të gjithë investimin që Bashkia e Tiranës ka bërë për forcimin e klubit dhe fakti se 75% e skuadrës olimpike vjen nga Sport Klub Tirana e tregon këtë, për ne nuki ëhstë një shpenzim, por një investim. Është një investim jo vetëm në emra të përveçëm, por në të gjithë kulturën e marrjes me sport.

Kreu i Bashkisë u shpreh se tashmë, jo vetëm sportistët tanë nuk po largohen nga ekipi kombëtar, por edhe shumë talente me kombësi tjetër, duan të përfaqësojnë ngjyrat kuqezi.

Erion Veliaj, kryetari i Bashkisë së Tiranës: Më kujtohen vitet 90-të, kur shumë sportistë shqiptarë garonin për një flamur tjetër, ndërkohë sot për arsye nga më të ndryshmet, sportistë të huaj zgjedhin flamurin tonë them që gjërat kanë ndryshuar dhe ky është një ndryshim për mirë. Shton kompeticionin dhe garën këtu brenda nesh që vijnë me eksperienca nga vende të ndryshme dhe sigurisht që ekipi ynë Olimpik do të  jetë kozmopolitan, pra me prejardhje të ndryshme ashtu siç është në fakt Tirana jonë kozmopolite.

Kampionia në atletikë, Luiza Gega, beson te më shumë suksese me investimet e bëra.

Luiza Gega, atlete: Jam e sigurt se i gjithë ekipi do të japë maksimumin. Sigurisht, ne presim gjithmonë e më mirë, por gara është garë. Që kur Erioni ka ardhur në Bashkinë e Tiranës, gjërat kanë ndryshuar shumë për sa i përket mbështetjes dhe kjo është arsyeja për rezultatet e mira, të paktën për mua.

Veliaj siguroi se janë marrë të gjitha masat që ekipi ynë Olimpik të ketë kushte dinjitoze edhe në Paris.

Klan News