“Qytetarët nuk i besojnë opozitës, po i bashkohen PS”

Në cilësinë e drejtuesit politik për qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me përfaqësues të komunitetit çam në njësinë 3 në kryeqytet ku nënvizoi se shumë qytetarë po largohen nga partitë e tjera për t’ju bashkuar Partisë Socialiste, si alternativa më e mirë qeverisëse.

“Pavarësisht bindjeve që mund të kemi pasur në të kaluarën, edhe në Rrogozhinë për shembull, na janë bashkuar 2500 vetë nga komuniteti çam, që thonë: E di çfarë, PS punon, me PS ecin gjërat përpara, hajde t’i japim të gjithë një dorë. Si Parti Socialiste, gjërat i kemi bërë me ndershmëri zemre!”.

Sipas Veliajt si PDIU, edhe LSI, qëllimin e vetëm kanë përdorimin e pushtetit si plaçkë.

“Kur i kishim këto partitë e vogla në koalicion, nuk bëje dot asnjë punë. Të thoshte, “ku është plaçka ime?”. Bllokohej buxheti në Këshillin Bashkiak se LSI-ja donte një gjë, PDIU-ja diçka tjetër”.

Ai zhvilloi një takim edhe me ish-ushtarakët, ku fokusi i bisedës u përqendrua tek opozita.

“Sot ata nuk kanë as forcën numerike dhe as atë morale. Si mund të kesh forcë morale kur proteston për autostradën dhe sapo kape zyrat, e lë protestën?! Si ka mundësi, e bllokoi 3 vjet “Astirin”, sa mori makinën, e la. Ti nuk ke moral kur në vitin e pandemisë the do ju sulem qendrave tregtare, por sa kape vilat, e le”.

Për Veliajn është absurde të vihet në diskutim puna që ka bërë Partia Socialiste në këto 8 vite.

Tv Klan