“Protestat janë kthyer në axhendë politike”

Të miturit po përdoren politikisht në protestë nga opozita. Është kjo deklarata e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, teksa i dorëzoi çelësat e banesës së rikonstruktuar një familje në Kodër-Kashar.

“Kam një pyetje për të gjithë ata që e kanë përdorur dhunën për të bërë politikë: Pse nuk nxjerrin fëmijët e tyre të protestojnë? Por, i çojnë në Angli e Holandë, ndërsa fëmijët e shqiptarëve i çojnë mish për top për politikë. Për sa kohë që familja e Klodianit kërkon të mos dhunohet, të mos këputet asnjë lule, çfarë halli kanë këta?! Kanë vetëm hallin e punëve të tyre! Këta nuk i fitojnë dot zgjedhjet me votë”.

Kryebashkiaku  Veliaj tha se ngjarjet e ditëve të fundit po tregojnë që dhuna nuk duhet të kthehet në axhendë politike.

“Është e mirëkuptueshme kur zemërimi zgjat mjaftueshëm për të nxjerrë dufin, por jo kur kthehet në axhendë politike. S’janë paratë e shtetit, janë paratë e popullit. Tani që partitë politike të opozitës e kanë marrë mesazhin, edhe nga ndërkombëtarët, dhe kanë ndaluar pagesën e parave për protestat e tjera, ne do u rikthehemi zbukurimeve, jetës normale, rindërtimit të qytetit, do vijojmë me ndërtimin e shtëpive. Kryeministri do vazhdojë me përpjekjet për të sjellë sa më shpejt vaksinën dhe duam që të lëmë pas këtë vit të shëmtuar”.

Tërmeti i 26 Nëntorit të vitit të kaluar shkaktoi dëmtime të shumta edhe në banesat private në Kashar, ku një pjesë e tyre janë duke u rikonstruktuar.

Tv Klan