Ka hapur dyert në Tiranë Festivali Ndërkombëtar i Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili rikthehet në edicionin e tij të 19.
I pranishëm në ceremoninë hapëse ishte edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se filmi ka një rëndësi të veçantë, pasi sjell më afër publikut problematika, qofshin këto edhe të shoqërisë shqiptare, që në realitet duken shumë larg.
“Filmi na sjell shumë afër realitete shumë të largëta. Gjërat që duken larg, filmi i sjell më afër. Gjërat që ndoshta në përditshmërinë tonë janë të padukshme, një film i nxjerr në pah dhe na provokon të gjithëve një ide, një të menduar ose edhe një vendimmarrje”, tha Veliaj.
Sipas tij, projekti i shpalosur që në muajt e parë të marrjes së detyrës si kryebashkiak për Tiranën policentrike, sot është realizuar.
“Ky festival është një dhuratë për qytetin, është një bekim, ndaj ndihem vërtet mirë që kjo akupunkturë, që prek një ‘nerv’ këtu në Kinostudio, ashtu si kinema ‘Maks Velo’ në Kombinat, tregon se Tirana policentrike është një qytet që jeton në hapin e kohës në të gjitha lagjet e saj”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se zona e Kinostudios, që dikur konsiderohej periferike, sot është kthyer në një pol zhvillim të qytetit të Tiranës.
Klan News