Tirana do të jetë epiqendra e mbështetjes për Kombëtaren Shqiptare të Futbollit. Teksa pa nga afër dy hapësirat sportive dedikuar tifozëve, kryebashkiaku Erion Veliaj ftoi të gjithë qytetarët të festojnë dhe mbështesin Kombëtaren Shqiptare.

“Kjo është hapësira më e madhe sportive sot në Tiranë. Atmosfera më e afërt me atë që po ndodh në Gjermani me Kombëtaren tonë. Në ‘Fan Zone’ ka nga diçka për të gjithë, edhe për ata që duan të shohin ndeshjen, të cilëve u kemi rezervuar pjesën qendrore. Kemi imituar një fushe futbolli sepse praktikisht të gjithë mund të ndihen sikur kanë zbritur në fushë për të qenë lojtari i 12-të dhe për të çuar energji pozitive nga Tirana”.

Veliaj tha se jo vetëm gjatë ditëve që luan Kombëtarja Shqiptare, por gjatë gjithë Europianit, Tirana do të ofrojë një atmosferë festive.

“Duam t’ia kalojmë mirë, do të kemi edhe DJ, edhe koncerte. Tirana do të jetë e gjitha në festë për të mbështetur Kombëtaren, për të kaluar mirë dhe për ta shijuar këtë eksperiencë, që nuk ndodh çdo vit. Është konceptuar si një mjedis familjar, ka diçka edhe për prindërit, edhe për fëmijët. Të gjithë janë të mirëpritur”.

Për të gjitha ata tifozë që duan t’i shikojnë ndeshjet me shoqërinë, Bashkia e Tiranës ka ngritur dy Fan Zone, një në sheshin Skënderbej dhe një në stadiumin e Selman Stermasi.

Tv Klan