Sri Lanka vendos masa të kursimit ekstrem të naftës. Qeveria njoftoi kufizimin e menjëhershëm të shitjeve të karburantit për të ruajtur rezervat kombëtare, të cilat janë prekur nga ndërprerjet e furnizimit në Lindjen e Mesme.

Sipas rregullave të reja, makinat lejohen të furnizohen deri në 15 litra në javë, autobusët deri në 60 litra, ndërsa kamionët kanë një kuotë prej 200 litrash.

Për të parandaluar abuzimet, autoritetet kanë riaktivizuar sistemin e kodit QR, një metodë e përdorur më parë gjatë krizës ekonomike të vitit 2022.

Ndonëse Presidenti Anura Kumara Dissanayake deklaroi në parlament se vendi ka rezerva për 33 ditë, Ministria e Energjisë theksoi se kufizimi është i nevojshëm. Shoferët, të cilët kalojnë orë të tëra në radhë, shprehen se këto sasi nuk janë të mjaftueshme për të përballuar jetesën e rënduar nga rritja e çmimeve.

Situatë e ngjashme raportohet edhe në Tajlandë, veçanërisht në provincën Samut Sakhon. Pikat e furnizimit janë përballur me fluks të lartë mjetesh, duke çuar në mungesa të përkohshme të naftës.

Në shumë pika karburanti, shitjet janë kufizuar me vlerë monetare ose me litra për bidonë, për të evituar zbrazjen e depozitave përpara rritjes së paralajmëruar. Zëvendëskryeministri tajlandez ka bërë të ditur se qeveria do të vendosë për nivelin e ri të çmimeve sapo të përfundojë periudha 15-ditore e ngrirjes.

Këto masa në Azinë Juglindore reflektojnë tensionin në rritje në tregun botëror të naftës, ku pasiguria gjeopolitike po dikton çmimet dhe stabilitetin e furnizimit për miliona konsumatorë.

Klan News

/tvklan.al