Vendet e Ballkanit Perëndimor i kanë shpallur luftë të hapur krimit të organizuar, duke premtuar bashkëpunim dhe koordinim të përpjekjeve për këtë betejë që vazhdon prej më shumë se një dekade. 

Në konferencën e ministrave të brendshëm të Evropës Juglindore, përfshirë tre vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që u mbajt në Beograd, përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit ranë dakord për forcimin e masave të sigurisë nëpër kufij, sepse siç tha edhe presidenti serb, Boris Tadiç, krimi i organizuar do të zhvendoset në vende të tjera. 

Në këtë konferencë mori pjesë edhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga zv/Ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Premçi.

Ministri i Brendshëm i Çekisë, Ivan Langer, shprehu nga ana e tij vlerësimin e thellë të Bashkimit Evropian për punën e madhe të vendeve ballkanike në sektorin e sigurisë.

Ivan Langer: “Siguria e një vendi varet nga ajo e fqinjëve, ndaj dhe kjo konferencë është tepër e rëndësishme sepse të gjithë ju po përpiqeni të ndërtoni një zonë sigurie dhe lirie në Evropën Juglindore, në të njëjtën mënyrë siç u bë edhe brenda shteteve të bllokut.”

Nga ana e tij presidenti serb, Boris Tadiç, tha se Beogradi nuk do t’i bashkohet bllokut evropian para përfundimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe kapjes së kriminelëve të luftës.

Trafiku i armëve, drogës, qenieve njerëzore ka mbizotëruar në Ballkan, që pas shpërbërjes së federatës jugosllave./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle