Qeveritë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe vende të tjera të Gjirit Persik kanë nisur një fushatë kundër personave që regjistrojnë, shpërndajnë ose postojnë video të sulmeve raketore dhe me dronë të Iranit, pas sulmeve të fundit që kanë goditur qytete si Dubai.

Autoritetet kanë arrestuar qindra njerëz, përfshirë edhe të huaj, duke i akuzuar për shpërndarje të informacionit që kërcënon sigurinë kombëtare, për “glorifikim të sulmeve” dhe për përhapje të “informacioneve të rreme” që mund të dëmtojnë imazhin e qyteteve si destinacione të sigurta dhe me zhvillim.

Ekspertët thonë se motivet kryesore janë dy: e para, parandalimi që informacionet vizuale të përdoren nga inteligjenca iraniane për të lokalizuar sistemet mbrojtëse dhe për të përmirësuar saktësinë e sulmeve të ardhshme; e dyta, ruajtja e reputacionit ndërkombëtar të qyteteve të Gjirit Persik si zona të sigurta për biznes dhe turizëm.

Në Katar, raportohet se janë arrestuar mbi 300 persona, ndërsa në Emiratet e Bashkuara Arabe disa janë gjykuar për krime kibernetike dhe shkelje të sigurisë publike.

Autoritetet paralajmërojnë qytetarët dhe vizitorët të mos regjistrojnë ose shpërndajnë video të goditjeve iraniane dhe të përmbahen nga postimet në rrjetet sociale si TikTok dhe X, pasi ato mund të përdoren si informacion për armikun dhe të dëmtojnë sigurinë dhe imazhin e vendit.

/tvklan.al