Shumë vende evropiane vendosën të dielën kufizime të reja për udhëtimet në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të shqetësimeve rreth një lloji të ri koronavirusi që po përhapet atje me shpejtësi.

Belgjika mbylli kufijtë e saj për trenat dhe avionët që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar ndërsa Holanda gjithashtu pezulloi fluturimet. Italia mori masa të ngjashme.

Edhe Gjermania vendosi kufizime për fluturimet nga Mbretëria e Bashkuar dhe Afrika e Jugut – e cila gjithashtu ka zbuluar një variant të ri të koronavirusit, tha një zyrtar gjerman.

Kryeministri britanik Boris Johnson dhe shkencëtarët njoftuan të shtunën se lloji i ri i virusit kishte çuar në rritjen e infektimeve.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar shtrëngoi kufizimet për Londrën dhe zonat përreth duke bërë që miliona njerëz të anulonin planet për festat e Krishtlindjeve./VOA