11 shtator 2026 – Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Administrative që urdhëronte Ministrinë e Financave dhe degën e Thesarit të Shtetit në Tiranë, për të zhbllokuar depozitimin e pagave të muajit gusht për të gjithë punonjësit e sistemit të drejtësisë dhe administratën e GJKKO-së.
Rama bën të qartë se dyert e Thesarit të Shtetit hapen vetëm nga pushteti legjislativ. Konkretisht për këtë çështje, do të vendosë Kuvendi më 17 shtator ku pritet të miratohet formula e re e përllogaritjes së pagave për prokurorët dhe gjyqtarët.
“…ndërkohë, siç e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit hapen vetëm nga pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë çështje, në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të enjten, më 17 shtator”, tha Rama.
Më tutje, ai ka ironizuar dhe nxitimin me të cilin Gjykata Administrative ka shqyrtuar padinë e GJKKO-së ndaj Financave, me objekt kryesor anulimin e veprimeve që ndaluan pagat, shoqëruar me kërkesën për sigurim padie të menjëhershëm deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes.
“Nëse Gjykata Administrative do të kishte një standard për çdo qytetar apo institucion në vështirësi, shpejtësinë e tmerrshme me të cilën veproi sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e pagave të veta pa miratimin parlamentar, besoj se çdo shqiptar i punësuar do të ishte i gatshëm t’u falte gjysmën e pagës vrapuesve të paqëndrueshëm të Gjykatës Administrative…
Por të kapësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë botërore, jo për të ndaluar, por për të inkurajuar për interes personal ekzekutimin e një akti që ka të ngjarë të shkelë ligjin dhe interesin publik, ndërsa mijëra e mijëra dosje problematike kanë pritur prej vitesh në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka krejtësisht shqetësuese!”, tha Rama.
Fjalë për fjalë, në vendim thuhet se:
“1.Pranimin e kërkesës për marrje mase sigurimi padie.
2.Pezullimin e zbatimit të veprimit administrativ të Ministrisë së Financave, të materializuar në shkresën nr. 14110 prot., datë 02.09.2026, si dhe të veprimeve administrative pasuese të strukturave të Thesarit, në pjesën që kanë sjellë mosprocedimin, pezullimin ose pengimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
3. Urdhërimin e menjëhershëm të palëve të paditura, Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë, që gjatë kohëzgjatjes së masës së sigurimit, të mos pengojnë dhe të mos mbajnë të pezulluar procesimin në sistemin e Thesarit të urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në zbatim të vendimit nr. 15, datë 17.02.2026 të Gjykatës Kushtetuese, vendimit nr. 435, datë 26.08.2026 të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe udhëzimit nr. 288, datë 31.08.2026 të zëvendëskryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
4. Ky vendim është i ekzekutueshëm menjëherë nga palët e paditura, Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë.
Pas kallëzimit në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), të ministrit të Financave Petrit Malaj, Sekretarit të Përgjithshëm Gentian Keri dhe 14 degëve të Thesarit të Shtetit në çdo rreth, nga magjistratët, këta të fundit tashmë po kërkojnë shpëtim dhe brenda radhëve, nga Gjykata Administrative.
Puna është bojkotuar në çdo gjykatë e prokurori pasi debati për rritjen e pagave të magjistratëve, ka prekur dhe administratat. Qeveria u ka dhënë si zgjidhje vetëm pritjen e vendimit që Kuvendi do të marrë më 17 shtator, ku pritet të votohet formula e re e përllogaritjes. Deri atëherë, asnjë para s’do të dalë nga Thesari i Shtetit.
Kujtojmë se më 17 shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, që kundërshtonte ligjin për pagat e magjistratëve dhe ka shpallur antikushtetuese disa dispozita të këtij ligji të miratuar në vitin 2023, i cili ndryshonte formulën e përllogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me ndryshimet ligjore të vitit 2023 paga e gjyqtarëve llogaritej sa 0.36 e pagës së presidentit të Republikës. Kushtetuesja tha se kjo ishte një ulje e fshehtë dhe antiligjore ndërsa i la detyrë Parlamentit të ndërhynte për të rregulluar hapësirën ligjore. I vetmi veprim që u ndërmor ishte depozitimi në Kuvend i propozimit të një formule të re që e rriste pagën nga 0.36% sa ajo e presidentit në 0.38%.
Në mungesë të ndërhyrjes së Kuvendit, KLGJ dhe KLP vendosën të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke rritur pagën referuese të magjistratëve nga 156 mijë e 800 në 222 mijë e 425 lekë, si dhe duke ruajtur shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.












Botërori 2026 
