Një rast i pazakontë është shënuar në Korfuz, ku 5 gra janë zhveshur, kanë vënë një tub kërcimi në mes të Pallatit Bazilik dhe kanë dhënë literalisht shfaqje për këdo që kalonte aty.
Ato nuk ndodhen nën masë arresti, por po ndiqen penalisht për “Shkelje të ligjit arkeologjik”, si dhe “degradim”, siç raporton media greke Skai.
Autoret e ngjarjes janë shprehur para autoriteteve me keqardhje, e se në ato momente nuk e kanë kuptuar impaktin e një veprimi të tillë. Madje, e cilësuan zgjedhjen e tyre si “të pafat”, por nuk mund të dimë se çfarë nënkuptohet pas një definicioni të tillë të këtij veprimi.
Duket se ngjarja është shënuar mbrëmjen e datës 22 maj, pasi një qytetar grek ka postuar video të këtij akti.
Zëvendëskryetari i Bashkisë së Korfuzit, Konstandinos Vusolinos, është shprehur për median greke se nuk është dhënë kurrsesi leje ndaj grave për të kryer një veprim të tillë. Vusolinos sqaron se në ambientet e jashtme të këtij Pallati nuk ka roje, ndaj dhe incidenti nuk është lajmëruar që në nisjen e saj.
/tvklan.al