Dhimbje, dëshpërim dhe zemërim. Kështu paraqitet situata në zonat më të prekura nga tërmetet shkatërruese që goditën Venezuelën.

Ekipi Ndërkombëtar i Kërkimit dhe Shpëtimit i Jordanisë arriti të nxirrte me sukses një fëmijë trevjeçar të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në Karakas të Venezuelës.

Vogëlushi, i cili kishte mbetur i bllokuar për gjashtë ditë pas tërmeteve të dyfishta shkatërruese në vend, u nxor pa lëndime dhe aktualisht është në gjendje të qëndrueshme në një spital lokal.

Në shtetin bregdetar të La Guairas, familjarë të viktimave kanë dalë në rrugë dhe kërkojnë që operacionet e kërkim-shpëtimit të përshpejtohen, duke shpresuar të gjejnë të afërmit e tyre nën rrënoja.

Dy lëkundje të fuqishme sizmike, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën vendin më 24 qershor. Zona pranë kryeqytetit Karakas u rendit ndër më të dëmtuarat, me qindra ndërtesa të shembura dhe një bilanc viktimash që ka shkuar në të paktën 1 mijë e 450 të vdekur.

Në mes të rrënojave, shumë familje vazhdojnë pritjen e dhimbshme. Disa kërkojnë trupat e të afërmve, ndërsa të tjerë ende besojnë se mund të ketë të mbijetuar.

Një prej tyre është Vilker Molaja. Ai është babai i një vajze që ndodhet ende nën rrënoja. I dëshpëruar, ai u përplas me autoritetet duke insistuar që kërkimi të vijojë aty ku ai beson se ndodhet vajza e tij.

“Vajza ime. Unë e nxora vajzën time deri në mes, e kapa nga mesi i rrënojave. Ata nuk do të largohen, makina me pajisjet e rënda nuk do të lëvizë derisa ta nxjerrin prej andej. Nuk do të largohen. Nuk kam asgjë për të humbur. Nuk kam asgjë për të humbur. Le të më vrasin nëse duan.”

Zemërimi i banorëve u shtua edhe më shumë ndaj mënyrës së menaxhimit të operacioneve. Ata akuzojnë autoritetet se nuk po ofrojnë pajisje të mjaftueshme dhe se po pengojnë hyrjen e familjarëve pranë zonave të prekura.

“Ata vijnë vetëm për të bërë fotografi. Nuk na ndihmojnë dhe nuk na lejojnë të hyjmë brenda zonës së katastrofës. Nuk na japin asnjë pajisje dhe ne kemi familjarët tanë atje”, pohoi një banor.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë me ndihmën e ekipeve vendase dhe ndërkombëtare. Në terren janë vendosur skuadra me qen të trajnuar, pajisje elektronike për zbulimin e shenjave të jetës dhe mjete të rënda për largimin e rrënojave.

Punonjësit e emergjencave thonë se kërkimi vazhdon, por kushtet janë tepër të vështira për shkak të dëmtimeve të mëdha dhe pasgoditjeve të vazhdueshme.

“Në këtë fazë ne po vazhdojmë kërkimin për viktima të mundshme. Kemi kryer tashmë kërkime me qen të specializuar. Aktualisht po përdorim pajisje elektronike, të cilat na ndihmojnë të jemi më të sigurt për vendndodhjet që ekipet me qen mund të kenë identifikuar”, deklaroi Adalberto Pastor, punonjës i Kryqit të Kuq meksikan.

Mes atyre që presin përgjigje është edhe Hektor Villegas. Ai kërkon familjarët e tij në një ndërtesë të shembur.

“Kjo ishte shtëpia e vajzës sime dhe dhëndrit tim. Ata nuk ishin aty kur ra tërmeti. Por fatkeqësisht, aty ndodheshin nëna e dhëndrit tim, ish-bashkëshortja ime dhe nipi im i madh. Që nga ajo ditë, që nga tragjedia, nuk kemi mundur të gjejmë trupat e tyre. Shoh që përpjekjet e shpëtimit po vazhdojnë dhe ne do të qëndrojmë këtu duke pritur.”

Ekipet e huaja të shpëtimit kanë premtuar se do të qëndrojnë në terren deri në përfundimin e operacioneve.

“Shpresojmë të shpëtojmë njerëz ose t’u rikthejmë trupat e gjetur familjeve të tyre. Kryqi i Kuq i Kosta Rikës, i angazhuar për të lehtësuar vuajtjet njerëzore, nuk do të ndalet derisa të përfundojmë punën tonë në këtë zonë”, pohoi Wagner Leiva, anëtar i Kryqit të Kuq të Kosta Rikës.

Por ndërsa makineritë vazhdojnë të pastrojnë rrënojat dhe ekipet kërkojnë për shenja jete, familjet mbeten të vendosura pranë ndërtesave të shkatërruara.

Në La Guaira, pritja është kthyer në një garë me kohën. Për shumë prej tyre, çdo minutë mund të jetë shpresa e fundit për të gjetur një të afërm ende gjallë.

Klan News

/tvklan.al