Studimet e ndryshme botërore por edhe të dhënat e Institutit të Gjeoshkencave, tregojnë se vera e këtij viti do të jetë një nga më të nxehtat.

“Presim që të jetë një nga tre verat më të nxehta të këtyre viteve të fundit. Në përgjithësi pritet që të jetë një verë e thatë, por nuk përjashtohet edhe mundësia që do të ketë ditë me reshje. Nëse bëjmë një krahasim të këtyre pesë viteve të fundit me 30-vjeçarin e kaluar që është për gjatë viteve ’60-’90, kemi një rritje të temperaturave 3 deri në 6 gradë”, tha Anira Gjonim specialiste e IGJEO.

Sipas specialistës së ndryshimeve klimatike, Anira Gjoni, kjo verë do të sjell edhe rritje të valëve të të nxehtit. Madje java e parë e qershorit dhe stina e verës ka nisur me një të tillë.

“Në fundjavë presim që të kemi dhe vlerat më të larta të temperaturave maksimale të ajrit. Dita e premte presim që të shkojë 34 gradë, e shtuna 35 gradë dhe e diela presim që të shkojë në 36 gradë. Shqetësuese për këtë javë mbeten vlerat minimale, ku presim që në zonat e ulëta të zbresin deri në 17 gradë. Është vala e parë e të nxehtit sa i takon kësaj vere. Tre javët e tjera të qershorit presim që të jenë të nxehta me mungesë të reshjeve.”

I nxehti shakakton një sërë problemesh, përfshi dhe ato shëndetësore.

“Temperaturat e larta janë problem më tepër kur këto temperatura vijnë menjëherë, siç është rasti tani, deri në javën që shkoj duhet të vishje një xhiboks, një xhaketë që të dilje në rrugë dhe sot duhet të dalësh me mëngë të shkurtra sepse diferenca është shumë e madhe e temperaturës dhe organizmi nuk mund të përshtatet aq lehtë”, tha mjeku Bektash Mandri.

Sipas mjekut Bektash Mandri, më të rrezikuar janë fëmijët e vegjël dhe të moshuarit.

“Fëmijët e moshës nga një deri në pesë vjeç, pa llogaritur ato zero deri në 12 muajsh, dhe moshat e treta, mbi 65 vjeç, gjëndra e rregullimit të temperaturës në trup tek fëmijët nuk është e formatuar dhe nuk mund të përshtasi raportin e temperaturës së jashtme me temperaturën e trupit. Kjo sjell çrregullimi dhe mund të jap hipertermi. Po të njëjtën gjë ka edhe te moshat e tretat sepse edhe ato kanë problem. Gjëndra e rregullimit të temperaturës fillon dhe ndryshon. Maturimi i saj fillon e bie.”

Mjekët rekomandojnë që të moshuarit por edhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike përfshi dhe ata me probleme të shëndetit mendor të mos ekspozohen në diell në orët e pikut.

Klan News

/tvklan.al