Maks Vershtapen fitoi Çmimin e Madh të Austrisë. Piloti holandez i Red Bullit e ka çuar në 32 pikë diferencën me rivalin e tij të Mercedesit, Luis Hamilton, në përfundim të garës së nëntë sezonale.

Në vend të dytë doli Valteri Botas me Mercedesin e tij. Pas finlandezit, Lando Norris me McLaren, i cili u penalizua në fillim gare me pesë sekonda, për shkak të një kontakti me Serxhio Perezin.

Vershtapen dominoi garën me 71 xhiro përpara 132 mijë spektatorëve në Shpielberg. Ai e nisi i pari garën dhe e përfundoi po i pari. Për holandezin, kjo është fitorja e tretë radhazi dhe e pesta në këtë sezon.

Hamilton e mbylli garën në vend të katërt, pasi makina pësoi një dëmtim gjatë garës. Britaniku bëri një garë të mirë, por rivali i tij kishte një ritëm më të shpejtë.

Në vend të pestë doli Karlo Sainz me Ferrarin dhe pas tij, Serxhio Perez nën drejtimin e Red Bullit. Në vend të shtatë garën e përfundoi Riçiardo me McLaren, e pas tij Leklerk me Ferrari.

Klan News