Efektivi i policisë Erjon Goxhara i ka dhënë fund arratisë dhe dy ditë pasi qëlloi me armë duke plagosur shtetasin Lorenc Kosta në Komunën e Parisit është vetëdorëzuar në polici.

Përmes një njoftimi për mediat, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë bën të ditur se ai ka dorëzuar edhe armën e shërbimit me të cilën qëlloi 6 herë ndaj 45-vjeçarit.

Ndërkohë bazuar në hetimet e kryera deri më tani për këtë ngjarje dyshohet se Goxhara e ka ndjekur Lorenc Kostën ditën e ngjarjes.

Goxhara mëngjesin e asaj dite ka bërë një takim me gruan e tij, me të cilën prej disa muajsh kishte debate për raportin që ajo kishte me 45-vjeçarin.

Hetuesit dyshojnë se pas këtij takimi, ku nga dëshmitë e mbledhura duket se situata nuk ishte sqaruar, ai ka shkuar në zonën ku ishte Kosta dhe siç tregojnë pamjet e kamerave të sigurisë e ka ndjekur, i është afruar dhe e ka qëlluar atë.

Efektivi i policisë është larguar më pas nga vendi i ngjarjes, ka njoftuar djalin e tij dhe me një taksi ka shkuar deri në zonën e Freskut, ku edhe u fsheh deri pasditen e kësaj të mërkure kur edhe iu vetëdorëzua policisë.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 14:00 të së hënës në 19 gusht në zonën e Komunës së Parisit. 45-vjeçari Lorenc Kosta vijon të qëndrojë në spital nën kujdesin e mjekëve. 

Tv Klan