Vetëm 13% e drejtuesve të mjeteve që humbin totalisht pikët e patentës arrijën ta rifitojnë atë. Të dhënat bëhen të ditura nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor.

Të gjithë të tjerët janë detyruar të rikthehen sërish në autoshkollë. Për ekspertët e sigurisë rrugore, fakti që këta drejtues nuk arrijnë ta rimarrin patentën tregon se nuk kanë kryer trajnimin e duhur.

Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore: Këta janë një potencial i rrezikshëm, i shtuar për shoqërinë. Fakti që këta nuk e marrin dot më patentën tregon që nuk kanë bërë trajnimin e duhur dhe rrjedhimisht ata nuk e njohin Kodin Rrugor.  Edhe pse kanë vite që kanë përdorur makinën ata nuk kanë mësuar kodin rrugor qoftë edhe në zbatimin e tij.

Gëzim Hoxha sjell si shembull eksperiencën e Francës që në rastin e aksidenteve, penalizim ka edhe për autoshkollat.

Gëzim Hoxha, ekspert i sigurisë rrugore: Francezët kanë bërë një studim dhe kishin vënë një tavan. Nëse ke 10 kursantë  të përfshirë në aksidente rrugore në 3-5 vite ata e mbyllin autoshkollën. Po kështu kthehet cikli dhe kontrollohet kush janë komisionerët që u kanë dhënë leje drejtimi këtyre shoferëve që kanë bërë aksidente.

Brenda dy vitesh janë afro 1400 persona që kanë humbur lejen e drejtimit dhe janë rikthyer në autoshkollë.

Tv Klan