Ideja e hershme, e lindur në samitin e Tiestes në vitin 2017, për kalimin e kufijve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor me kontrolle të unifikuara mes shteteve kufitare, bëhet e mundur nga kjo e diel mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Dy kryeministrat, Rama dhe Mickovski, përuruan në pikën kufitare të Qafë Thanës funksionimin e sistemit të integruar kufitar “One Stop Shop”, pra vetëm një kontroll në hyrje, si për qytetarët, ashtu edhe për mallrat.
“Secili shtet i evidenton dokumentet e pasagjerëve vetëm në një hyrje, gjerësisht edhe polici i Maqedonisë dhe polici i Shqipërisë gjatë kontrollit të dokumentacioneve kryejnë kontrolle kufitare në të dy sistemet, që i bie edhe në sistemin e Shqipërisë dhe në sistemin e Maqedonisë. Me këtë mënyrë të kalimit të kufirit shtetëror zvogëlohet parapritja dhe kjo nënkupton që do të jetë gjë e mirë për turizmin edhe për shtetin tonë dhe për shtetin shqiptar, kuptohet.”
Kryeministri Rama e shpjegon funksionimin pikërisht tani të këtij sistemi me marrëdhënien e besimit që tanimë ekziston mes dy shteteve.
“Sot, jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv sepse hedhim një hap konkret me këtë transformim, i cili ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne, kemi një shprehje në shqip: Beso dhe kontrollo. Deri tani në këtë doganë ishim: Kontrollo, kontrollo. Tani jemi “beso dhe kontrollo”. Hapi tjetër është “beso, beso”, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t’u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle, në kufijtë mes nesh.”
Për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, vendosja e këtij sistemi kontrolli kufitar ndihmon edhe turizmin mes dy vendeve.
“Është një vlerë e shtuar për të dyja vendet dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit”, pohoi Mickovski.
Për Ramën, bashkëpunimi mes dy vendeve kandidate për në BE duhet të vijojë edhe për projektin e Korridorit të 8-të.
“Jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë së bashku dhe pa diskutim njëra ndër këto është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor tanimë jo vetëm të rëndësishëm për ne, as vetëm të rëndësishëm për Bashkimin Europian, por të rëndësishëm edhe për NATO-n, korridorin 8.”
Rama dhe Mickovski u pyetën edhe për marrëdhëniet politike, që jo gjithmonë kanë qenë siç u shfaqën sot dy kryeministrat, të cilët i drejtoheshin njëri-tjetrit me termin “mik”.
“Miqësia mes nesh është krejtësisht reciproke, dhe momenteve të caktuara kur mund të kemi nuanca të ndryshme në mënyrën si flasim. Por unë dua t’i them të gjithëve që mes meje dhe kryeministrit Mickovski nuk ka absolutisht asnjë lloj dallimi substancial që e pengon miqësinë tonë. Përkundrazi, miqësia jonë është një miqësi që me kalimin e kohës bëhet shumë e qartë sepse me sa unë kuptoj, jemi të dy njerëz që themi atë që mendojmë dhe mendojmë atë që themi.”
Mickovskit iu kujtua incidenti i Pustecit, ku ai ishte i pranishëm në një festë ku himni shqiptar nuk u ekzekutua, ngjarje që për të nuk është tregues i marrëdhënieve mes dy vendeve, të cilat sot festojnë së bashku në territorin e Maqedonisë së Veriut festën kombëtare të alfabetit shqip.
“Maqedonia është një shtet shumëetnik, shumëkulturor, një shtet që i respekton të gjitha etnikumet dhe një shtet që i kultivon të gjitha festat dhe kulturat e bashkëqytetarëve të vet dhe sot po festojmë edhe një festë shumë të rëndësishme siç është 22 nëntori.”
Ndërsa Rama u pyet për deklaratat e bëra lidhur me mosmarrëveshjet që Maqedonia e Veriut ka me Bullgarinë, por që sipas tij janë keqinterpretuar.
“Unë kam qenë në mënyrë të vijueshme një zë, nganjëherë edhe i lartë në mbështetje të procesit të afrimit dhe të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe asnjëherë nuk do t’ia lejoja vetes që t’i tregoja qeverisë apo popullit të Maqedonisë së Veriut se çfarë duhet të bëjë.
Kam bërë një shpjegim më të gjatë sesa fjala pas të cilës janë kapur mediat këtu në Maqedoni, duke thënë se sa shumë sakrifica është dashur të bëjë Maqedonia e Veriut dhe ka arritur të ndryshojë edhe emrin dhe prapë nga ana tjetër, Bashkimi Europian nuk ka bërë atë që ka premtuar. Dhe kam shtuar që ata me të drejtë. Pra, pala maqedonase me të drejtë shqetësohet edhe dyshon se mund të ketë përsëri diçka tjetër në rast se hedh këtë hap për të përfshirë në kushtetutë pakicën bullgare. Por nga ana tjetër kam shtuar që kjo veto mund të hiqet duke plotësuar këtë kusht dhe normalisht unë e kam të vështirë të shikoj një rrugë tjetër, por është thjesht opinioni im. Nuk i jap askujt leksione dhe kurrën e kurrës Shqipëria nuk do të bëhet pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.”
Kryeministri shqiptar u pyet me ironi edhe për faktin se konsideron miq disa politikanë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa iu kërkua llogari pse nuk ka reaguar për disa ngjarje ku janë shkelur të drejtat e shqiptarëve atje, por që për Ramën nuk mund të zgjidhen me ndërhyrjen e Shqipërisë.
“Unë nuk mendoj që i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve, asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër. Çështjet të cilat ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike, bile kanë edhe më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për t’i shpalosur të gjitha ngjyrat dhe të gjitha opinionet. Juve as më keni parë mua, s’do më shikoni ndonjëherë që të bëj fushatë për asnjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut dhe a s’keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të vijnë gjatë fushatës dhe të bëjnë me mua deklarata e fotografi për fushatën këtu.
Ndërkohë që patjetër ne kemi komunikim. Patjetër që të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë të mirëpritur në Tiranë. Patjetër që ne jemi të gatshëm të bëjmë të gjitha diskutimet e nevojshme me ta, për mbarësinë e punës së përbashkët, por ka një kufi që as nuk do të shikoni ndonjëherë që mund ta kapërcej, që është kufiri që ndan atë që i takon institucioneve dhe shtetit sovran të Maqedonisë së Veriut dhe atë që i takon shqiptarëve si një bashkësi që kanë të gjithë të drejtën e tyre të komunikojnë dhe të ndërveprojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve. Dhe unë nuk besoj që është ndonjë çudi që të kesh mik edhe Kristian Mickovskin dhe Ali Ahmetin.”
Rama dhe Mickovski patën edhe një takim dypalësh, por nuk u bënë të ditura temat që u diskutuan.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 