Pas protestave të zhvilluara në Prishtinë dhe më pas në Hagë, Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të mbajnë në pasditen e 17 tetorit një tubim në sheshin Skënderbej të Tiranës.
Ata thonë se synimi është sensibilizimi kundër padrejtësive që po u bëhen nga Gjykata Speciale e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Arsyeja tashmë është e qartë. Padrejtësia që po ushtrohet nga Gjykata Speciale kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ne, bashkëluftëtarët dhe kategoritë e dala nga lufta, shprehim mirënjohje të përhershme për shtetin shqiptar, për përkrahjen dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj kësaj çështjeje madhore kombëtare. Mesazhi ynë është i qartë: Drejtësi për çlirimtarët, kundër padrejtësisë që po u bëhet atyre”, tha Hysni Gucati, kryetar i organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së.
Gucati ftoi në këtë protestë të gjithë shqiptarët pa asnjë dallim.
“Prandaj sot, nga kjo tryezë, iu drejtohemi të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë e veprojnë, partive politike shqiptare, sidomos në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni: bashkohuni me ne në këtë protestë paqësore në Tiranë. Kjo nuk është çështje e disa individëve, por çështje dinjiteti, sakrifice dhe e së vërtetës sonë historike. Le të ngrihemi të gjithë si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi për çlirimtarët tanë dhe për t’iu kundërvënë padrejtësisë. Ju mirëpresim të gjithëve në Tiranë”.
Kreu i veteranëve të UÇK-së tha se është i kënaqur me mbështetjen që ka marrë nga qeveria e Tiranës.
“Faleminderit Edi Rama.”
Prej 15 shtatorit, në Gjykatën Speciale të Hagës janë duke u paraqitur dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja, proces i cili është parashikuar të zgjasë të paktën deri në 14 nëntor.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 