Tonin Tuci ishte shoqëruar për dhunë në familje

Një 52-vjeçar nga Durrësi i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur brenda ambienteve të shoqërimit të Policisë së Durrësit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, ndërsa shtetasi Tonin Tuci ishte shoqëruar në polici pas një denoncimi që i kishin bërë familjarët e tij për ushtrim të dunës në familje.

Policia e Durrësit në një deklaratë të shpërndarë për mediat ka bërë të ditur se Tuci ishte shoqëruar për rreth 3 orë, si i dyshuar për veprën penale “Dhunë në familje”, ndërsa është gjetur i vetëvarur nga personeli në një prej dhomave të shoqërimit.

52-vjeçari sipas policisë ka qenë nën efektin e pijeve alkoolike dhe aktin e vetëvrasjes e ka kryer në kohën kur familjarët e tij po shpjegonin në Polici, rrethanat e ngjarjes për dhunën në familje.

Lidhur me këtë ngjarje SHÇBA ka proceduar 2 punonjës policie për shpërdorim detyre, ndërsa prokuroria po vazhdon të kryejë hetime për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe zbatimin e procedurave standarde nga ana e punonjësve të policisë.

Tv Klan