Demokrat Medinaj qëlloi 31 herë me thikë gruan e tij

Trupi i pajetë i Demokrat Medinajt u gjet i varur në vendin e quajtur Vija e Ngjalës në Fier nga policia. 29-vjeçari që një natë më parë vrau bashkëshorten e tij, Irvanën, i ka dhënë fund jetës në kushte të rënduara psikologjike, megjithëse pas krimit, ishte arratisur për të mos u kapur nga policia.

Mjekësia ligjore ka nxjerrë në pah fakte tronditëse për ngjarjen që ndodhi në fshatin Sheq i Madh.

Nëna e 2 fëmijëve, Irvana Medinaj është masakruar nga 31 goditje me thikë nga bashkëshorti i saj, sipas ekspertëve të mjekësisë ligjore.

Gjithashtu mësohet se 28-vjeçarja ka qenë gjashtë javë shtatzënë në pritje të një fëmije të tretë.

Familjarët e viktimës tregojnë se nuk kishin dijeni për konflikte mes çiftit. Gjithashtu ata hedhin poshtë raportimet në media se 29-vjeçari të ketë patur më parë probleme mendore.

Shkaqet e ngjarjes janë ende të paqarta. Nga çfarë tregojnë njerëzit e afërt, çifti nuk kishte sherre të vazhdueshme, por duket se një konflikt i çastit mund të ketë qenë motivi i tragjedisë.

Tv Klan