Bëhet e ditur se Victoria Beckham është thellësisht e lënduar nga zhvillimet në marrëdhënien me djalin e saj, Brooklyn Beckham, veçanërisht pas përpjekjes së dështuar të vajzës së tyre 14-vjeçare, Harper, për ta takuar atë, në mes të përçarjes së vazhdueshme familjare.
Sipas një raportimi të Page Six, Harper ka vizituar së fundmi shtëpinë e vëllait të saj në Los Angeles, ku ai jeton me bashkëshorten e tij, Nicola Peltz. Megjithatë, vizita nuk ka sjellë rezultatin e dëshiruar, pasi Brooklyn dhe bashkëshortja e tij nuk ndodheshin në shtëpi në atë moment, dhe vajza është larguar pa u takuar me ta.
Një burim pranë familjes ka thënë se David dhe Victoria Beckham ishin në dijeni të vizitës së vajzës së tyre, duke theksuar se nuk kishte asgjë të pazakontë në faktin që ajo udhëtoi e vetme, pasi fëmijët e familjes janë mësuar të lëvizin me shoqërim sigurie dhe shpesh udhëtojnë edhe vetëm.
I njëjti burim ka deklaruar se situata ka ndikuar në të gjithë familjen dhe se Victoria është “e shkatërruar”. Ai shtoi gjithashtu se as ajo dhe as bashkëshorti i saj nuk do të pengonin kurrë marrëdhëniet e fëmijëve me njerëzit e tyre të afërt.
Sipas raportimeve, çifti e ka të vështirë të kuptojë se si marrëdhënia me djalin e tyre të madh ka arritur në këtë pikë. Megjithatë, ata vazhdojnë të shpresojnë për pajtim, pasi, siç thotë burimi, “e duan pa kushte dhe nuk do të ndalojnë kurrë së shpresuari se do të ribashkohen”.
Kjo situatë vjen pak ditë pas publikimit të një reklame të DoorDash, në të cilën Brooklyn Beckham lë të kuptohej se marrëdhënia e tij me familjen mbetet e ndërlikuar.
Në video ai thotë: “Me siguri po pyesni pse po e shikoj Botërorin nga shtëpia. Është një histori e gjatë”, ndërsa në ekran shfaqet mesazhi: “është e ndërlikuar, më shumë së shpejti”.
Përçarja mes Brooklyn dhe prindërve të tij ka kohë që po tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Në janar, ai deklaroi publikisht se nuk dëshiron pajtim me familjen, duke i akuzuar prindërit se kanë menaxhuar imazhin familjar në media dhe se kanë vendosur brand-in “Beckham” mbi marrëdhëniet personale. Po ashtu, ai ka mohuar pretendimet se kontrollohet nga bashkëshortja e tij, duke thënë se për herë të parë në jetën e tij po mbron veten.
/tvklan.al












Botërori 2026 
