Që prej mëngjesit të ditës së sotme në qytetin e Fierit ka nisur një aksion për rehabilitimin e lumit Gjanica. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka filluar aksionin për shembjen e 19 objekteve që janë shpronësuar me VKM si dhe pesë objekte të tjerë të skualifikuar në procesin e legalizimit nga ALUIZNI. Deri më tani nuk raportohet asnjë incident me qytetarët gjatë prishjes së ndërtesave.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur sot një aksion në qytetin e Fierit. Në planet e IKMT janë ndërtesat përgjatë dhe pranë lumit Gjanicë. Për pastrimin dhe rehabilitimin e kësaj zone, IKMT ka angazhuar pothuaj të gjithë flotën e saj të mjeteve. Në fazën e parë që nisi sot, do të prishen 19 objekte që janë shpronësuar me VKM si dhe pesë objekte të tjerë të skualifikuar në proçesin e legalizimit nga ALUIZNI.

Për katër objekte, specialistët e IKMT kanë vendosur të përdorin lëndë eksplozive. Objektet që do të prishen nga IKMT janë dy dhe disa katëshe me funksione të ndryshme shërbimi. Aksioni i IKMT është në kuadër të rehabilitimit të lumit Gjanicë dhe qendrës së qytetit të Fierit. Nuk është rregjistruar asnjë incident mes qytetarëve dhe inspektorëve në terren

“, thuhet në njoftimin e IKMT.

/tvklan.al