Është kapur autori i dyshuar për tentativë vjedhjeje në një dyqan të këmbimit valuator në Durrës. Siç mësohet nga Policia, mesditën e djeshme 30 vjeçari ishte futur në dyqan me një pistoletë lodër në dorë, duke tentuar të marrë një shumë parash. Por asgjë nuk i shkoi sipas planit! Ai u arrestua brenda pak orëve.


Zbardhet brenda pak orësh, tentativa për vjedhje në një dyqan këmbimi valutor. Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.  Sekuestrohet pistoleta lodër e përdorur prej tij, gjatë tentativës për vjedhje. Mesditën e djeshme, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte tentuar të vidhte në një dyqan këmbimi valutor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj tentative vjedhjeje. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit: E. L., 30 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas dyshohet se më datë 12.04.2024, rreth orës 12:45, në lagjen nr. 1, ka hyrë në një dyqan këmbimi valutor dhe në kërcënimin e një pistolete lodër, ka tentuar të vjedhë një shumë parash. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pistoleta lodër dhe veshjet që ka patur autori i dyshuar, gjatë ngjarjes”, thuhet në njoftimin zyrtar të bluve./tvklan.al