Këtë enjte u zhvillua Asambleja Kombëtare e PS-së, ku kryeministri Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar, si dhe organizimin e ri të partisë. 

Si e komenton Kushi ‘ndarjen’ e Ministrisë me Bora Muzhaqin

Evis Kushi ishte në mesin e emrave që u rikonfimua në detyrë nga Kryeministri Edi Rama këtë të enjte. Megjithatë Ministria që ajo drejton do të ndahet në dy, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në krye të së cilës do të jetë Bora Muzhaqi.

“Kushdo mund të ishte, PS ka shumë potencial, ka shumë profesorë, ka shumë njerëz të përkushtuar”, u shpreh Kushi kur u pyet për rikonfirmimin në detyrë.

Ndërsa për Muzhaqin tha: “Kryeministri gjithmonë i ka mbështetur të rinjtë, përfshirjen e tyre në vendimmarrjen politike. Bora ka qenë shumë e përkushtuar dhe kam besim që do të punojë mirë. Aq më tepër, unë që e njoh sepse e kam patur gjatë këtyre muajve zv/ministre”.

Gramoz Ruçi: Qeveria e re nën monitorim të vazhdueshëm, nuk ka arsye për paragjykim

Ish-kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dha reagimin e tij për mediat lidhur me shpalljen e qeverisë së re.

Ai u shpreh se ka lavdërime për ekipin e ri, ndonëse suksesi do të jetë në monitorim të vazhdueshëm si nga PS, edhe nga votuesit. Gjithsesi, Ruçi tha se pavarësisht kësaj, nuk ka asnjë arsye për paragjykim.

Gazetari: Si i shihni ndryshimet në qeverinë e re të zotit Rama?

Gramoz Ruçi: Pse mendoni që Ruçi do ketë veçse lavdërimet për ekipin e ri dhe urime të përzemërta për ta justifikuar këtë mandat të tretë të Partisë Socialiste?!

Gazetari: Mendoni se kjo skuadër është skuadra e duhur për të qeverisur për katër vitet e ardhshme?

Gramoz Ruçi: Absolutisht po, por suksesi i saj do të monitorohet fuqishëm nga socialistët dhe nga votuesit e kësaj force politike në vazhdimësi, por s’ka arsye për t’i paragjykuar.

Gjiknuri flet për detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i PS: Sfidë jashtëzakonisht e madhe

Kryeministri Edi Rama vendosi në krye të detyrës si Sekretar të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknurin. Pozicionin e tij të ri Gjiknuri e ka mirëpritur si një sfidë dhe detyrë jashtëzakonisht të madhe duke u bazuar dhe në vizionin e paraqitur nga Rama, por dhe nga eksperienca e tij elektorale ndër vite.

“Natyrshëm është një detyrë e vështirë, sfidë e madhe, aq më tepër me tepër me pritshmëritë dhe vizionin që paraqiti kryetari i partisë. Natyrshëm dhe unë kam eksperiencë time elektorale dhe partiake, do bëj më të mirën e mundshme për ta çuar përpara atë punë të mirë të nisur deri tashmë. Partia Socialiste është konfirmuar si një forcë fituese, shumë aktive shumë e aftë për t’u vetëtransformuar dhe me një vizion të qartë për të ardhmen, kështu që është një sfidë e mirëpritur. Natyrshëm unë kam pasur lidhjet e mia me qarkun Vlorë dhe aty kam bërë një rezultat të shkëlqyer për dy palë zgjedhje të përgjithshme, rezultati më i thellë historik që është arritur ndonjëherë në ndonjë qark në Shqipëri dhe them duke u bazuar në këtë eksperiencë elektorale do vazhdojë të bëjë më të mirën”.

“Pozicioni i sfidës së drejtimit të Partisë Socialiste nga pikëpamja e menaxhimit të përditshëm, është një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe unë e mirëpres, aq më tepër që jam një njeri i investuar gjatë në këtë parti. Për mendimin tim kjo është një pritshmëri e mirë dhe për mua, nuk kam ndonjë shqetësim në këtë drejtim.”

Rama e vendosi në krye të Kuvendit, si e komentoi Lindita Nikolla

Tashmë e vendosur në detyrën e kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla është shprehur se ndihet me mendjen e zemrën plot me përgjegjësi. Nikolla u shpreh e përkushtuar ndaj përmbushjes së detyrës, sidomos pas besimit dhe pritshmërisë që PS dhe Kryeministri Edi Rama patën ndaj saj.

Sot ajo që unë mund të them derisa të shkojmë për të respektuar edhe procedurat e tjera deri në zgjedhjen në detyrë është fakti që jam mbushur plot, mendje e zemër me një përgjegjshmëri të shtuar për të përmbushur maksimalisht të gjithë besimin dhe pritshmëritë që Partia Socialiste, kryetari i PS, zoti Edi Rama, pati në këtë përzgjedhje”, tha Nikolla.

Elva Margariti rikonfirmohet si ministre e Kulturës: E rëndësishme çfarë vjen më pas

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti pas rikonfirmimit në detyrë është shprehur entuziaste dhe e fokusuar në zbatimin e politikave nga letra në praktikë.

Ndonëse nuk dha një përgjigje të qartë nëse ishte në pritje të rikonfirmimit të detyrës, Margariti e cilëson detyrën e saj si një sfidë dhe përgjegjësi, por i rëndësishëm mbetet vizioni për të parë përpara.

Elva Margariti: Një hapësirë e re e cila do t’i japë fokusin, uroj, të gjithë politikave që kemi hartuar në letër, por që do të duhet të marrin jetë.

Gazetarja: Si rrallëherë, ministri i Kulturës rikonfirmohet në detyrën e saj? Ju e prisnit? Ishte brenda pritshmërive tuaja për të qenë përsëri?

Elva Margariti: Të them të drejtën, këto pikëpyetjet e mëdha kanë gjithmonë ato dilemat, nuk di të ta ndaj nëse ishte pritshmëria pozitive për të vazhduar, por që sot është patjetër një sfidë e madhe, një përgjegjësi e madhe e shtuar dhe duhet të shikoj çfarë është më pas, jo atë që lamë prapa.

Gazetarja: U emocionuat shumë se pashë që dolët me lot në sy?

Elva Margariti: Jo, mund të jenë maskat që krijojnë pak mungesë oksigjeni.

Rama e kaloi drejtues të Qarkut të Fierit, Balla: Nuk është çështje kungujsh, por përgjegjësish

Këtë të enjte u zhvillua Asambleja Kombëtare e PS-së, ku kryeministri Edi Rama prezantoi kabinetin e ri qeveritar, si dhe organizimin e ri të partisë. Kreu i qeverisë konfirmoi si kryetar grupi parlamentar, Taulant Ballën, por nga ana tjetër i hoqi përgjegjësinë si Sekretar i Përgjithshëm të partisë. Kreu i qeverisë shprehu mirënjohjen për Ballën dhe tha se “ka mbajtur dy kunguj nën një sqetull” gjatë këtyre viteve.

Në përfundim të asamblesë, Balla foli për gazetarët, të cilët i kujtuan këtë deklaratë të kreut të qeverisë. Por Balla tha se është një çështje përgjegjësish dhe ai do të vazhdojë të jetë deputet i Elbasanit. Balla iu përgjigj pyetjes nëse ka hatërmbetje me kryeministrin, i cili nuk e vendosi në asnjë post në kabinetin qeveritar.

Balla tha se do të mërzitet me kryeministrin vetëm nëse ai nuk i kthen qarkut të Elbasanit investimet e nevojshme që i ka borxh pas fitimit të mandatit të tretë.

“E para është që jam deputet i Elbasanit, do të jem drejtues politik i Qarkut të Fierit. Duhet një punë e rëndësishme për të ruajtur performancën që Gramoz Ruçi ka pasur në atë qark. Mos ngatërroni detyrat që burojnë nga fakti i të qenit deputet dhe drejtuesit politik të qarkut.

Kjo nuk është çështje kungujsh, por përgjegjësish. Unë do të mërzitem me kryesocialistin Rama nëse Qarku i Elbasanit nuk do të marrë investimet e nevojshme të domosdoshme për t’i kthyer ato borxhe që PS i ka për mandatin e 3. Ka detyrimin më të madh në Qarkun e Elbasanit dhe do të jem në Kuvend për të siguruar që çdo investim publik, Elbasani të jetë në vëmendjen e parë të qeverisë. Unë jam sa përfaqësues edhe banor i qarkut të Elbasanit. Do të jem mes Elbasanit dhe Fierit. Të dielën ju pres në stadium se vetëm atje fiton kombëtarja”, tha Balla.

Detyra në krye të grupit parlamentar të selisë rozë sipas Ballës është shumë i rëndësishëm dhe ka përgjegjësi të mëdha pas kryeministrit të vendit.

“Unë nuk e mendoj që të jesh kryetar i grupit parlamentar i shumicës parlamentare në mandatin e tretë është të mos jesh në një pozicion të rëndësishëm politik. Duke qenë se jam deputet i Elbasanit gjej rastin të falenderoj ata afro 90 mijë votues të cilët në mënyrë historike, dua t’i falenderoj një për një. Falenderoj dhe ata që nuk na votuan, por koha do tregojë se vota për PS ka qenë vota e duhur për të ardhmen. Falenderoj patronazhistët që kanë bërë një punë të shkëlqyer sepse kemi ditur të ngremë një strukturë dhe makineri elektorale shumë efikase që bëri të mundur fitoren e mandatit të tretë. Në ju thashë që kryetari i shumicës parlamentare në një parlament i cili do të ketë përgjegjësi shumë të mëdha është përgjegjësia e dytë pas kryeministrit. Dua t’ju them që do të vazhdoj të  jem në krye të grupit parlamentar të PS. Nuk shoh në këtë vendim asnjë shmangie nga ajo që unë kam dëshirë të bëj”.

Peleshi flet pas konfirmimit në detyrë: Isha i përgatitur për gjithçka, nuk do të kisha hatërmbetje nëse…

Pas rikonfirmimit të tij si ministër i Mbrojtjes, Niko Peleshi në një deklaratë për mediat është shprehur mirënjohës dhe falënderues për vlerësimin e Kryeministrit. Gjithashtu, ai tha se është një detyrim për të lexuar si votat pro, ashtu edhe ato kundër.

Më tej, ai shtoi se ishte i përgatitur për gjithçka, edhe nëse do të vendosej një emër tjetër në vend të tij duke mos pasur hatërmbetje.

“Natyrisht që është në vlerësim të jesh pjesë e kabinetit dhe në dikasterin, Ministrinë e Mbrojtjes është një nga ministritë shumë të rëndësishme të vendit. Jam shumë mirënjohës në këtë moment për vlerësimin e Kryeministrit dhe është momenti për të falenderuar të gjithë ata që na dhanë këtë mandat të tretë. Jam shumë i bindur se ajo çka u parashtrua nga Kryeministri mbi nevojën e një rishikimi të gjithë organizatës sonë politike, mbi të gjitha të gjithë kulturës, pavarësisht se jemi fitimtarë është ajo që duhet të na motivojë të gjithëve. Kemi detyrimin të lexojmë mirë edhe votën pro edhe votën kundër.

Unë kam prej 8 muajsh që shërbej në pozicionin e ministrit të Mbrojtjes, por kur fillon një mandat i ri, fillon një qeveri e re dhe është Kryeministri që mandatohet dhe ka të drejtën të zgjedhë. Nuk jemi të pazëvendësueshëm dhe nuk më ka gënjyer mendja që nuk ekziston një njeri tjetër që mund ta bëjë detyrën më mirë sesa unë. Prisja, isha i përgatitur për gjithçka, edhe për emrat e rinj, për të cilët nuk do të kisha hatërmbetje, por do t’u uroja më të mirën. Kemi borxhe për të kthyer. Shqiptarët nuk kanë votuar që Niko Peleshi të bëhet ministër kështu që unë jam i vetëdijshëm për këtë”, tha Peleshi.

U konfirmua në detyrë, Manastirliu: Përgjegjësi më e madhe

Një nga emrat që u konfirmua këtë të enjte në kabinetin qeveritar ishte ministra e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Pas përfundimit të asamblesë ajo foli për mediat ku tha se përgjegjësia është më e madhe pas besimit që i kanë dhënë qytetarët.

“Besimi që qytetarët i kanë dhënë PS është një besim i cili vjen pikërisht për të garantuar të gjithë ato angazhime që ne kemi marrë. Padyshim që është një përgjegjësi më e madhe. Duhet të ringrihemi mbi veten për të tejkaluar veten tonë në atë punë që kemi bërë dhe për të bërë akoma më shumë. Është një përgjegjësi shumë e madhe që duhet çuar përpara me të gjithë ekipin. PS ka në të gjithë ekipin e saj njerëz që punojnë, që marrin përgjegjësi dhe puna nuk bëhet vetëm bëhet në ekip në drejtimin e Kryeministrit”, tha Manastirliu./tvklan.al