06 shtator 2026 – Një tjetër valë zjarresh ka përfshirë Shqipërinë në këtë fillim shtatori. Prej më shumë se 24 orësh, kodrat në fshatin Bardhaj dhe zona e Myselimit po shkrumbohen nga zjarri. Të favorizuara dhe nga era e fortë, flakët po përhapen drejt zonave të banuara e në sipërfaqe pyjore me pisha ndërsa terreni i vështirë nuk favorizon ndërhyrjen e zjarrfikësve.
Situata më problematike paraqitet në Bardhaj, ku një vatër e zbritur nga kodra është afruar pranë zonës së banuar, raporton gazetarja e Klan News Emi Kalaja. Një banor i zonës kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga strukturat e emergjencave me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve.
“Të ndërhyjnë ta ndalojnë. Ka filluar që dje. U ndërhy dje me helikopter, e iku. Ka nisur gjatë natës. Vetëm nga ajri, nuk ke nga të kalosh tjetër”, tha ai.
Zjarri gjatë natës ka dëmtuar dhe sipërfaqe të konsiderueshme tokë bujqësore. Një tjetër banor i kërkon shtetit ndihmë për pasi dëmet për familje janë të mëdha.
“Ka bërë dëm kolosal. Më ka djegur ullinj. Shteti të na ndihmojë, jo për sevap, por është fakti që është dëm. Janë djegur makineri bujqësore. Zjarrfikëset kanë ardhur dhe kanë hyrë gabim. Kanë punuar boll. Është bërë dëm i madh, por të jetë shteti të na ndihmojë diçka. Tërë mundi më ka shkuar dëm. Për fat më ka shpëtuar shtëpia. Nuk e di nga ka ardhur ky zjarr”, tha qytetari.
Zjarr i madh në Çërrilë të Mallakastrës, shkrumbohen sipërfaqe pyjore e tokë bujqësore
Një tjetër vatër zjarri është raportuar në Çërrilë të Mallakastrës, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe me shkurre, pisha dhe tokë bujqësore. Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse të Mallakastrës, efektivë të policisë dhe banorë që i janë bashkuar operacionit për neutralizimin e flakëve. Ndërhyrja në terrenin e thyer është e vështirë , ndërkohë që zjarri ndodhet larg zonës së banuar, raporton gazetarja e Klan News Anila Sefa.
Gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri janë raportuar në total 32 vatra zjarri, 11 prej të cilave vijojnë të mbeten aktive. Ndër vendet më të prekura është Fushë Kruja, Himara, Fieri, Puka, Lura si dhe rrethinat në Tiranë. Fatmirësisht nuk ka bilance negative në jetë njerëzish, ndonëse ka pasur banesa të djegura si dhe banorë të evakuuar. E fundit ishte Himara që u përball me kërcënimin e zjarreve që u afruan fare pranë bregut.
Katër vatra zjarri aktive në pyllin e Semanit, flakët të favorizuara nga era e fortë
Katër vatra aktive zjarri janë shfaqur në pyllin e Semanit, në afërsi të grykëderdhjes së lumit Seman, në Fier.
Flakët sakaq po favorizohen nga era e fortë dhe po përhapen në zonën e pyllëzuar.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë një sasi të konsiderueshme tymi të zi që ka përfshirë zonën. Në përpjekje për të izoluar një prej vatrave, edhe një banor është angazhuar me mjete rrethanore.
Gazetarja e Klan News, Anila Sefa, raporton se forcat zjarrfikëse vijojnë ndërhyrjen për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
/tvklan.al












Botërori 2026 
