Përfaqësuesit mblidhen në orën 11:00

Këshilli Politik do të vijojë sërish sot punën për të përfunduar Reformën Zgjedhore ashtu siç është rënë dakord brenda 31 Majit. Përfaqësuesit e mazhorancës, opozitës parlamentare dhe asaj joparlamentare do të mblidhen në orën 11:00 për të diskutuar disa nga çështjet ku ndahen palët, siç janë përdorimi i teknologjisë, depolitizimi, kolegji zgjedhor apo edhe ndryshimi i sistemit duke marrë parasysh modelin danez.

Mbrëmjen e së enjtes, çështja e përdorimit të teknologjisë solli përplasjen e radhës mes palëve. Pas disa orëve diskutime, Bylykbashi akuzoi mazhorancën se është tërhequr nga qëndrimi i saj pro identifikimit biometrik. Por Gjiknuri nga ana tjetër tha se garancia e zgjedhjeve nuk mund të varet nga teknologjia dhe për këtë solli si argument një opinion nga OSBE/ODIHR.

Bylykbashi u shpreh se pa arritur një kompromis për këtë çështje apo edhe për depolitizimin e administratës zgjedhore është e vështirë të arrihet një dakordësi me mazhorancën.

Megjithatë palët arritën të kenë konsensus për rolin e policisë në zgjedhje, hetimin e krimeve elektorale nga SPAK-u dhe rolin e sinjalizuesve. Më herët është rënë dakord për periudhën zgjedhore, financimin miks të partive dhe kuotat gjinore.

Mazhoranca ka refuzuar propozimin për një qeveri kujdestare dhe që Ministri i Brendshëm i këtij ekzekutivi të emërojë 100 ditë para zgjedhjeve Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Një pikë e nxehtë diskutimesh është ndryshimi i sistemit zgjedhor, një kërkesë e Rudina Hajdari si përfaqësuese e opozitarizmit parlamentar.

Kujtojmë që mes palëve është rënë dakord që reforma të mbyllet më 31 Maj. Në një kohë kur na ndajnë vetëm dy ditë nga kjo datë, palët janë shprehur se nëse ka vullnet kodi i ri elektoral mund të mbyllet në këtë afat të vendosur./tvklan.al