Siguria fizike është kryesorja, por jo e vetmja në fokusin e Policisë së Shtetit në planin e masave për nisjen e vitit të ri arsimor.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita, tha se masat e marra përfshijnë edhe sigurinë ushqimore, kibernetike dhe atë rrugore.

“Vëmendje të veçantë i kemi kushtuar edhe sigurisë rrugore pranë shkollave, për mbrojtjen e fëmijëve gjatë lëvizjes së tyre në fillim dhe në mbarim të orarit mësimor, si dhe gjatë pushimit të gjatë. Po bashkëpunohet intensivisht me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit për të garantuar sigurinë e produkteve ushqimore në të gjitha bizneset që operojnë pranë shkollave. Strukturat e Policimit në Komunitet, të Dhunës në Familje, të Krimeve Kibernetike do të jenë të pranishme në shkolla, me orë ndërgjegjësuese për rreziqet e bullizmit, dhunës psikologjike në shkolla dhe në hapësirën digjitale.”

Prezencë të shtuar të policisë kërkoi edhe nga antidroga dhe operacionalja.

“Kam udhëzuar specialistët e sektorëve kundër Narkotikëve dhe atyre Operacionalë në të 12 drejtoritë vendore të Policisë, që të organizojnë kontrolle me intensitet të lartë, si brenda, ashtu edhe jashtë perimetrit të sigurisë, me fokus identifikimin dhe ndalimin, me forcën e ligjit, të çdo elementi kriminal që tenton t’u afrohet institucioneve arsimore, të bëjë nxënësit pjesë të veprimtarive kriminale, veçanërisht në fushën e narkotikëve, apo t’u shesë atyre sende të tjera të kundërligjshme dhe me pasoja për jetën dhe shëndetin.”

Zbatimi i këtyre masave do të jetë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shefave të komisariateve.

“Garantimin e perimetrit të sigurisë dhe përtej perimetrit të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen e procesit mësimor. Në krye të të gjitha shërbimeve të angazhuara për sigurinë në shkolla do të jenë shefat e komisariateve, të cilët do të kenë përgjegjësitë e drejtpërdrejta për organizimin, koordinimin dhe kontrollin e shërbimeve në territor.”

Hita evidentoi si ndihmë në zbatimin e këtij plani për sigurinë e nxënësve edhe zbatimin e projektit Smart City, që sipas tij rrisin kapacitetet për monitorimin dhe parandalimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë.

Tv Klan

/tvklan.al